Ish-deputeti Xhemal Gjunkshi ka reaguar për ngjarjen e ndodhur sot në burgun e Peqinit, ku i dënuari me burgim të përjetshëm Sokol Mjacaj vrau me armë zjarri Arben Lleshi, po ashtu i dënuar me burgim të përjetshëm si dhe plagosi të burgosurin Indrit Shaqja.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Gjunkshi tha se kjo ngjarje pasqyron cenimin e rendit dhe të sigurisë publike. Ai mori shembull edhe një plagosje të ndodhur në Tiranë sot duke e komentuar situatën me tension të rënduar që sipas tij vjen për shkak të varfërisë dhe papunësisë në vend.
Postimi i plotë:
Ngjarja e rëndë e ndodhur sot në burgun e Peqinit ku u vra një i burgosur dhe u plagos një tjetër, nuk dëshmon vetëm pasigurinë në këto ambjente. Ngjarja pasqyron cënim të rendit, sigurisë publike dhe një realitet tensioni të rënduar të shoqërisë. Po sot në Tiranë dy të rinj u plagosën nga një adoleshent, ngjarje kjo e përsëritur dhe në qytete të tjera.
Shkaqet e rendit të tronditur tashmë dihen pasi varfërisë së madhe, papunësisë dhe mungesës së një Strategjie efikase kundër krimit i shtohet edhe filozofia e kryeministrit dhe e qeverise me moton * kokën e njëri tjetrit le të hanë*. Por në fakt kjo situatë “po i han kokën ” ekonomisë, stabilitetit kombëtar dhe integrimit europian
Sepse investitorët vendas e të huaj nuk shohin siguri dhe besim tek institucionet, sepse turistët nuk mund të vizitojnë një vend ku krimi godet në mes të ditës dhe në mes të qendrës, ku parlamenti është përfshirë nga flaka e gazi, ku në burgje shpërthejnë armët dhe ku banesat e bizneset vidhen e grabiten.
Rendi dhe siguria duhet të mbahen me strategji vizion dhe masa konkrete, me zyrtarë e punonjës me integritet dhe jo me propagandë pompoze nga ministrat dhe zyrtarët e qeverisë. Shqipëria e 2023.