Aktori i famshëm i “Friends”, Matthew Perry vdiq papritur më shumë se një muaj më parë. Të premten doli raporti i autopsisë, ku u zbulua se aktori vdiq për shkak të “efekteve akute të ketaminës”.

Pavarësisht karrierës së tij të shkëlqyer si aktor filmi dhe televizioni, Perry kishte folur hapur për luftën e tij me varësinë në të kaluarën. Madje, një mik shumë i ngushtë ka deklaruar në një intervistë për Daily Mail se lidhja e tij me lëndët narkotike nuk përfundoi kurrë.

Personi në fjalë nuk ka dashur të tregojë identitetin e tij por ka deklaruar: “Ai i ka gënjyer të gjithë se është i pastër. Nuk ka qenë kurrë. Është shumë e trishtueshme. Gënjeshtra më e madhe që ka thënë ndoshta ka qenë për veten e tij.”

Ai vuri në dukje se nganjëherë Perry mund të ishte “një person mjaft manipulues kur bëhej fjalë për betejat e tij me konsumin, ishte një luftë, një betejë dhe ai luftoi çdo ditë deri në fund”.

Autopsia zbuloi se Matthew Perry kishte doza të larta të ketaminës në trupin e tij dhe se vdekja e tij ishte shkaktuar nga “efektet akute” të ilaçit dhe shqetësimi respirator, megjithatë, niveli në trup ishte i ngjashëm me atë të një pacienti të shtruar në spital.”

Duhet të kujtojmë se deklarata e autopsisë pretendon se “me nivelet e larta të ketaminës të gjetura në mostrat e gjakut të tij pas vdekjes, efektet kryesore vdekjeprurëse do të ishin si nga stimulimi i tepërt kardiovaskular, ashtu edhe nga mungesa e frymëmarrjes”.

Kjo mund të vërtetojë se aktori nuk kishte qenë i pastër nga lëndët narkotike prej 18 muajsh, siç konfirmoi në tetor 2022. Aktori i ‘Friends’ deklaroi se shpenzoi afërsisht 9 milionë dollarë duke u përpjekur të përballonte varësinë e tij ndaj alkoolit, duke zhvilluar deri në 6000 takime me Alkoolistët Anonim. Dy vjet më parë ai ripohoi se kishte lënë mënjanë varësinë e tij dhe se jeta e tij ishte më e shëndetshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb