Nisin shembjet në pikën turistike të Drilonit ku po zbatohet projekti për parkun ujor Drilon-Tushemisht. Gazetarja Lorena Kodra bën me dije për BalkanWeb se sipas të dhënave po prishen disa objekte të ndërtuara ndër vite me struktura betoni dhe ura mbi ujërat e lumit, dhe disa objekte të tjera të vjetra që janë parashikuar të mos jenë më në këtë zonë turistike.
Aksioni i IMT dhe Policisë Bashkiake Pogradec ka nisur ditën e djeshme dhe pritet të vijojë edhe nesër me disa objekte të tjera në Tushemisht.
Në këtë aksion është pjesë mbështetëse edhe policia e shtetit. Nuk ka pasur rezistencë nga pronarët pasi ishin njoftuar më herët për prishje vullnetare.
Sipas të dhënave prishja e tyre i hap rrugë zbatimit më të shpejtë të projektit për të cilin këto ndërtime ishin bërë pengesë prej muajsh.