Dosjet e policisë sekrete të diktaturës do të jenë pjesë e kurrikulave mësimore në shkolla. Një seminar ndërkombëtar i organizuar nga Autoriteti i Dosjeve dhe Ministria e Arsimit shpalosi detaje nga programi, ndërsa një përqindje e madhe e shoqërisë shqiptare pak vite më parë shprehte nostalgjinë për diktaturën në një sondazh të OSBE. Nëse projekti që është ende në fazë fillestare vihet në jetë, gjasat janë që në dhjetëvjeçarët e ardhshëm, diktatori do rrëzohet si në fillimin e pluralizmit, shtatorja e tij.

Një seminar ndërkombëtar mbi “Përdorimin e dosjeve të policisë sekrete në mësimin e historisë së regjimeve totalitare” u mbajt në Tiranë, organizuar nga Autoriteti i Dosjeve dhe Ministria e Arsimit me mbështetjen e departmentit të Arsimit pranë Këshillit të Europës. Synimi i nismës është që nxënësit e shkollave të mësojnë të shkuarën përmes mënyrave kreative shpesh edhe duke plotësuar mangësitë e trashëguara në dije nga një brez në tjetrin.
Gentiana Sula, Kryetare e AIDSSH tha se “rishqyrimti i historisë si proces ende nuk po gjen rrugën për të komunikuar me procesin e mësimit të historisë nëpër shkolla. Ka nevojë për platforma ku temat në dukje të patrajtatueshme, të mund të furnizohen me dokumente e arkiva, foto, video dhe punime. Është parë nevoja për të ngritur një platformë burimore të hapur arsimore, që të mësojmë nga e shkuara”.

Ndërsa vite më parë një sondazh mbi periudhën komuniste tregoi përqindije shqetësuese të nostalgjisë për diktaturën, me 42% të të anketuarve që shpreheshin për ndikim pozitiv të diktatorit Hoxha, Nina Guga zv.ministre e Arsimit flet për nisma konkrete.

“Jemi përqëndruar në zhvillimin e një kalendari të kujtesës. Qëllimi ynë është përgatitja graduale e shkollave me historinë e përshkruar të veprimtarisë së Ish-Sigurimit të Shtetit. Për të arritur këtë qëllim, kemi plan integrimin e kësaj historie në programe mësimore dhe tekste shkollore. Besojmë se njohja e kësaj periudhe është thelbësore për ndërgjegjësimin e qytetarëve të së ardhmes dhe parandalimin e krimeve si ato të së kaluarës” tha Guga.

Seminari dyditor përfshin ekspertë vendas e ndërkombëtarë, të angazhuar në fushat e kujtesës e arsimit, duke bashkuar përvoja për edukimin e të rinjve dhe nxitjen e kulturës së mendimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: