TIRANE

Shkrimtari i njohur, Petro Marko është përkujtuar në Bibliotekën Kombëtare me një ekspozitë të veprave të tij në botimet e para, artikujve të botuara në gazeta dhe dokumenteve që e përndoqën dhe I ndaluan veprat gjatë diktaturës. Në 110-vjetorin e lindjes, talenti rebel erdhi përmes pasurisë së tij letrare dhe imazheve të pangatërrueshme me cigare në dorë e shikimin e tretur ne ajri. Nga lufta e Spanjës te krijimtaria në një sistem mbytës, ai mbeti megjithatë, një shpirti i lirë.

Për drejtoren e QKLL-së, Alda Bardhyli, “sigurisht një vit nuk mjafton, për t’i kthyer Petro Markos, borxhin që i kemi qoftë edhe për heshtjen e gjatë që herë pas here ka rënë mbi figurën e tij”.

Shkrimtari Diana Çuli, kujtoi se “e kam shumë të qartë imazhin e tij kur ecte vetëm, i menduar në trotuarin e bulevardit ‘Zogu i parë’, një ëndërrimtar i zjarrtë, një qytetar i përgjegjshëm për fatet e vendit dhe të njerëzimit”.

Shkrimtari i veprave “Hasta la Vista”, “Shpella e piratëve”, “Nata e Ustikës” a “Qyteti i fundit”, megjithatë, nuk është pjesë e programeve shkollore.

“A mjaftojnë dy a tre orë në shkollën e lartë që të flitet për këtë dukuri të mëvetësishme të
letrave shqipe?”, tha studiuesi Behar Gjoka.

Ndërsa, drejtori i BKSH-së, Piro Misha, tha se “këto lloj aktivitetesh duhet të shërbejnë si thirrje për një shikim serioz, rrënjësor të asaj që i mësohet nxënësve në shkolla. Është absurde që në shkollat shqiptare nuk është emri i Petro Markos, është një përgjegjësi e gjithë institucioneve, është një absurditet., një mëkat, mund të thuash edhe një krim”.

Liria e tij intelektuale dhe letërsia e tij moderne, do ta çonte Petro Markon drejt dënimit, veprën e tij drejt ndalimit, dhe familjen do ta linte në mes të ciklonit. E bija, Aranita, ndau metaforën e dekoratës për të shpërfaqur historinë.

“Më bën përshtypje një gjë për babin, që gjatë gjithë jetës me këta që janë lart në pushtet, se kemi pasur mirë. Po kujtoja tani që babi ka marrë “Nderi i kombit”. Mami u gëzua shumë se mendoi që ishte një titull i lartë. Ndërkohë që unë isha shumë keq në shtëpi, domethënë nuk kishim as për të ngrënë, thashë ta shes. Se thashë duhet të jetë art të paktën, duhet të vlejë për një gjë. Por kur e çova te argjendari, më tha është kallp, nuk bën me një fjalë. E kisha për këtë, ose i vë në jastëk, kur i çojnë për t’i varrosur, ose të paktën t’i shesim për të jetuar. Nuk ka rëndësi për mua ajo, faleminderit shumë që ja kanë dhënë. Për mua rëndësi kanë ata që e duan dhe e lexojnë. Unë jam krenare se nuk ishte vetëm një shkrimtar i dashur por edhe një njeri i mirë. E për mua kjo ka rëndësi”, u shpreh Aranita Marko.

Në mesin e publikut të ekspozitës ishin dhe dy shkrimtarë që e njohën dhe e deshën për letërsinë që la e rebelin që ishte, Xhevahir Spahiu dhe Fatos Kongoli.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb