TIRANE

Mes ngjyrave e bardhe zisë nga një vepër në tjetrën, Fabio Thaçi bashkon në ekspozitën “Metaforma- shtëpia dhe bota”, brendinë e kahershme të Beratit dhe ndikimin e fuqishëm të Nju Jorkut ku jeton.

“Kam sjellë pjesë të ndryshme të jetës sime. Kam portrete që të kujtojnë afresket dhe diku tjetër, peizazhe që duken herë si Nju Jork e herë si Berat. Jam munduar të fus fragmente nga jeta ime. Ju përmendet nudon, që për mua është figurë interesante. E kam hulumtuar shumë dhe them që është një nga bukuritë më të rralla në botë”.

Artisti që ka çelur ekspozitën në FAB pranë Universitetit të Arteve, ka qenë një ndër themeluesit e muzeut të ikonave “Onufri” në Berat kujton vitet e diktaturës dhe presionin me të cilin përballeshin.

“Bashkë me drejtorinë e ateliesë vendosën të krijojmë një muze në kishën e Shën Mërisë, në hajatin qark kishës, sepse kishim shumë material në depo. Atëherë ishte kohë tjetër që nuk lejonin kisha. Njëherë mora vërejtje kur erdhi Fiqirete Shehu, na tha si shumë ikona keni vënë. I thashë janë të muzeut, i kemi vënë për të kuqen e Onufrit”.

Ndërsa jemi në ditë Krishtlindjeje dhe festojmë në liri, muzeu “Onufri” qe kthyer në një kohë edhe në një vend lutjesh, duke bashkuar të shenjtën e të bukurën.

“Ishte e frikshme se mund të godisnin. Por kishte dhe njerëz përparimtarë që donin të vlerësonin dhe ne e kapnim jo nga ana religjioze por nga ajo artistike. Kishim referencë një ekspozitë mesjete në Paris që kishte pasur shumë sukses. Kam pasur raste të njoh njerëz nga lagja e kalasë së Beratit që fshehtas vinin për të parë muzeun dhe bënin një kryq. Ishte një gjë e jashtëzakonshme. Ishte e ndaluar dhe ne e dimë që shumë veta dënoheshin. Djalin e studiuesit më të madh të artit bizantin, Theofan Popës e futën në burg se i gjetën ungjill ne xhep dhe qëndroi pesë a gjashtë vjet”, tregon Thaçi.

Artisti nga Tirana pas ‘90-ës emigroi në Gjermani e më pas në SHBA, ku lëvron artin e tij duke u strehuar shpesh nën një mbi një dritaret e Beratit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: