Vajza e Recep Tayyip Erdogan, Esra Albayrak dhe bashkëshorti i saj Berat Albayrak, ish- ministër i Financave, po bëjnë thirrje për një marshim të madh në Stamboll për Gazën dhe për ushtarët turq që u vranë në operacionet jashtë kufijve turk në ditën e Vitit të Ri. Çifti Albayrak, në një video të postuar në rrjetet sociale, bëjnë të ditur se marshimi do të zhvillohet mëngjesin e Vitit të Ri në orën 8:30 në Urën e Gallatës.
“Ju ftojmë të gjithëve në Urën e Gallatës në orën 08:30 të mëngjesit të parë të vitit të ri për të ndarë dhimbjen e ushtarëve tanë dhe dëshmorëve tanë në Gaza dhe për t’i treguar gjithë botës qëndrimin tonë kundër kësaj shtypjeje”, thonë ata.
“Ne refuzojmë t’i dorëzohemi një regjimi që vret sistematikisht fëmijë. Asnjë ideologji irracionale nuk mund ta justifikojë këtë gjenocid të tmerrshëm. Ne bërtasim në çdo rast që bota nuk duhet t’i dorëzohet vetëm një vendi. Përballë mizorive të sotme, ne i bëjmë thirrje të gjithëve të vënë në dyshim sistemin global. Ne duam që Netanyahu dhe qeveria e tij të gjykohen për krimet e luftës që kanë kryer”, thotë Esra Albayrak në mesazhin e saj.
Në video shfaqet edhe Bilal Erdogan, djali i presidentit turk. Marshimi organizohet nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në pushtet “Fondacioni Rinor i Turqisë” (TUGVA), e cila flet për një tubim të paprecedentë për nga masiviteti i tij. Takimi është bërë, siç thuhet në video, në orën 8:30 të mëngjesit të ditës së parë të vitit, pas faljes së sabahut në xhamitë e Stambollit.