Ky angazhim publik ndaj këtij diskutimi është një detyrim mirënjohës ndaj vendit tim. Këtë detyrim e shton edhe fakti se nga viti 1997 deri në vitin 2005 kam pasur privilegjin të shërbej dy herë si Ministër i Financave dhe një herë si Ministër i Ekonomisë. Njohuritë e marra nga këto përvoja nuk janë pronë personale, por publike.
Pjesëmarrja profesionale në këtë diskutim publik lehtësohet nga fakti se në vitin 2013 një koleg më kërkoi të bëja një memo për një strukturë të qeverisë socialiste.
Një nga pikat e diskutueshme ishin opsionet për krijimin e disa ministrive “ te medha” Një prej tyre ishte bashkimi i Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Ekonomisë.Nga analiza e strukturave qeveritare të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ky bashkim u be vetëm në Serbi, por nuk pati sukses, kështu që pas rreth 1.5 vitesh u nda sërish. Ministritë e medha jane present në pak vende të BE-së.Por nuk duhet të harrojmë dhe të kemi parasysh se këto vende kanë një kulturë të gjatë shtetformuese dhe qeverisëse. Këto vende ndryshojnë shumë pak strukturën e qeverisjes. Në vitin 2005, së bashku me kolegun dhe këshilltarin Pandi Madhi, ishim të ftuar në përvjetorin e Guardia di Finanza, e cila festoi 236 vjetorin e saj, kështu në 2024 Guardia di Finanza do të festojë 256 vjetorin e saj. Njëkohësisht administrata publike në vendet e BE-së ka një mbrojtje të veçantë ligjore dhe nuk tronditet nga rotacionet politike apo ndryshimet strukturore të qeverisë.
Në vitin 2013 kam qenë jo mbështetës për bashkimin e Ministrisë së Ekonomisë me Ministrinë e Financave. Disa momente për këtë diskutim profesional:
1. A duhet të shkëputet Ministria e Financave nga ekonomia dhe të krijohet Ministria e Ekonomisë? Po. Para së gjithash, dy ministritë e ekonomisë dhe financave duhet të përballen me njëra-tjetrën, duke konkurruar për dobinë e politikave të tyre specifike në arritjen e tre objektivave makroekonomikë, të cilët janë: Rritje e lartë dhe e shëndetshme ekonomike; (2) Qëndrueshmëria e rritjes ekonomike nga goditjet e jashtme dhe ()3) një rritje e drejtë ekonomike që shpërndan më mirë përfitimet e rritjes ekonomike tek shtresat sociale në nevojë, por edhe për rritjen dhe konsolidimin e shtresës së mesme.Shtresa e mesme është gjeneratori kryesor i rritjes ekonomike dhe zbutjes së plagëve sociale.Kontributi pozitiv i shtresës së mesme është edhe në sfidat e demokracisë.Klasa e mesme shihet si votues i zgjuar që mund të lehtësojë konfrontimin e vështirë midis demokracisë funksionale dhe autokracive që luftojnë për pushtet absolut politik dhe ekonomik.
Ndarja e dy ministrive është pozitive sepse politikat financiare për ruajtjen e stabilitetit të financave publike kanë përgjithësisht një theks shtrengues. Por shkurtimet e pa studiuara buxhetore, ulja e shpenzimeve publike dhe investimeve, pakësojnë burimet financiare për rritjen ekonomike. Ndaj për një ministër ekonomie është e çuditshme “krenaria e çdo ministri financash për suficitet buxhetore” kur ato vijnë kryesisht nga mosrealizimi i konsiderueshëm dhe shqetësues i shpenzimeve dhe investimeve publike.
Nga ana tjetër, çdo ministër i financave nuk do ta kuptonte mirë asnjë ministër të ekonomisë që e mbështet rritjen e ekonomisë përmes rritjes kërcënuese të deficitit buxhetor, borxheve publike dhe kostove që lidhen me to. Asnjë ministër i financave nuk do të toleronte zgjerimin dhe rritjen e subvencioneve direkte dhe indirekte në ekonomi. Në të njëjtën mënyrë, çdo ministër financash, por edhe ai i ekonomisë, në vend që të absolutizojne partneritetet publiko-private (PPP) të pa përzgjedhura me studime të thelluara profesionale, jotransparente dhe jo konkurruese, duhet të kenë prioritet të përbashkët ristrukturimin e sektorit publiku duke ndalur keq përdorimin e tyre elektoral dhe ose nepotik. Duke ulur subvencionet ndaj tyre që lindin per shkak te keq-manaxhimit, duke ulur humbjet, duke rritur produktivitetin dhe marzhin neto të fitimit të sektorit publik, ai do të kthehet nga një barrë e rëndë financiare dhe pengesë, në një burim rritjeje ekonomike. Me ristrukturimin e sektorit publik, lirohen mundësi të jashtëzakonshme, aktualisht të ndrydhura dhe të bllokuara, për rritjen e ekonomisë sonë me ritme më të larta dhe më të qëndrueshme.
Ministria e Financave duhet të zgjedhë financimin e prioriteteve të ministrive sipas rregullit të artit të financave publike në mënyrë që objektivat sektoriale më specifike të arrihen me më pak fonde. Ministrat e linjës duhet të realizojnë çdo vit më shumë shpenzime dhe investime produktive me të njëjtat fonde buxhetore. Është edhe më produktive të realizohen më shumë objektiva makroekonomikë dhe sektoriale me më pak fonde buxhetore.
2. A duhet bashkuar inovacioni me Ministrinë e Ekonomisë? Besoj se jemi vonë. Ekonomia jonë do të kushtëzohet gjithnjë e më shumë nga sfidat e ekonomisë së dijes. Ndoshta në pak vite kur struktura e ekonomisë sonë do të përmirësohet me kalimin nga sektorët tradicionalë në ekonominë e dijes, Ministria e Ekonomisë mund të quhet “Ministria e Ekonomisë së Dijes”
3. A duhej te bashkohej kultura me ministrine e ekonomise? Jo.Pesha e saj në ekonominë shqiptare direkte ose indirekt ka shume vend per tu permiresuar. Ndoshta kultura mund të bashkohej më mire me turizmin. Në një shoqëri globale ku edhe vende shumë të fuqishme rrezikojnë të humbasin pjese te rendesishme te identitetit te tyre, kultura kombëtare mbetet identiteti kryesor i çdo vendi, aq më tepër për vendin tonë. Jean Monnet, një nga baballarët themelues të BE-së, deklaroi pas shumë vitesh në një vështrim retrospektiv se nëse do ta niste projektin e BE-së nga fillimi, do ta niste nga kultura dhe jo nga ekonomia. Nuk është rastësi që motoja e BE-së është: Të bashkuar në diversitet.
“Cilat jane disa qëndrime jo mbeshtetese për ndryshimet e shpeshta dhe spontane në strukturën e qeverive. Është efektive që strukturat qeveritare të mos ndryshohen kaq shpesh.
Qeveritë mund të theksojne prioritetin e tyre duke ndërthurur mandatin e zëvendëskryeministrit me sfidën e madhe me të cilën përballet vendi, si p.sh. kur prioritet është rendi publik Ministri Brendshem mund të jetë njëkohësisht edhe zv-kryeministër. Kur përparësia kombëtare është integrimi, Ministri që mbulon integrimin në të njëjtën kohë zv-kryeministër, Gjatë krizave ekonomike dhe financiare, njëri prej dy ministrave, në varësi të krdibilitetit mund të jetë edhe zv-kryeministër. Aktualisht qeveria ka shpallur prioritet modernizimin e infrastrktures, prandaj ministra e infrastrktures mund te jete njekohesisht edhe zv-kryeministër.
Kushtetuta jonë sqaron kufizimin që Shqipëria mund të ketë vetëm një zëvendëskryeministër. Kjo pengesë nuk është shqetësuese për qeveritë me shumicë parlamentare.Por heqja e këtij ndalimi nga kushtetuta ndihmon kur shumica qeverisëse është e dobët. Konsolidimi i mazhorancave synohet nëpërmjet zgjerimit të koalicioneve.Aleatët në qeveri mund të jenë efektiv duke i vendosur në poste të çdo niveli, por kryesisht nëpërmjet ministrave të shtetit dhe/ose zv-kryeministër.
Ndryshimi i shpeshtë i strukturave qeveritare krijon paqartësi, pa siguri dhe frikë tek punonjësit e administratës dhe sektorit publik, sidomos tek “të vjetrit”. Por pasiguria e një karriere të suksesshme dhe sipas meritokracisë vret edhe dëshirën e atyre që qëndrojnë për të punuar në administratë dhe sektorin publik, kjo ushqen largimin e trurit por edhe te fuqisë punëtore të vendit.
Kjo nuk është thjesht një paranojë e tyre, por një rrezik real i mbështetur nga eksperiencat e ristrukturimeve të mëparshme kur kolegët e tyre i pushuan me motivin e ristrukturimit dhe pas pak erdhën të zgjedhurit për motive nepotike dhe korruptive me të njëjtin argument: “për nevoja ristrukturimi”. Efektet negative të pasigurisë dhe frikës për të ardhmen po nxisin braktisjen e vendit tonë. Kjo është plaga më e madhe sociale nga e cila është prekur dhe po vuan ekonomia jonë. Nga një vend me popullsi të re, nga një vend me divident demografik, jemi kthyer në një vënd me deficit demografik në nivele kërcënuese. Kostot e rënda të nepotizmit personal, politike, partiake apo krahinore janë një gur i rëndë në qafën e taksapaguesve të varfër shqiptarë.