Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari, ka deklaruar se kostoja e jetesës së qytetarëve në kryeqytet është rritur për shkak të pastrimit të parave në Bashkinë e Tiranës.
Në një konferencë për mediat, ai u shpreh se vijimi i dhënies së kullave pa kriter, jo vetëm që nuk do të ndihmojë në uljen e çmimeve të apartamenteve por dhe do të shtojë vështirësitë e përditshme të qytetarëve për shkak të mungesës së infrastrukturës.
Deklarata e plotë:
Përshëndetje!
Pastrimi i parave të pista në Bashkinë e Tiranës vijon të rëndojë çdo ditë jetesën e qytetarëve.
Qytetarët e Tiranës përballen sot me një kosto të lartë të jetesës e cila është e papërballueshme në raport me të ardhurat që kanë.
Në Tiranë, posedimi i një apartamenti është bërë i pamundur për shkak të çmimeve të larta të rritura fiktivisht nga paratë e pista që po pastrohen çdo ditë në qytetin tonë.
Vijimi i dhënies së kullave pa kriter, jo vetëm që nuk do të ndihmojë në uljen e çmimeve të apartamenteve por dhe do të shtojë vështirësitë e përditshme të qytetarëve për shkak të mungesës së infrastrukturës.
Tirana sot është kryeqendra e rajonit për çmimet më të larta për metër katror të apartamenteve,
Tirana sot është kryesuesja e rajonit për apartamente që janë të pabanuara, të paktën 51 mijë të tilla.
Tirana sot përballet me numrin më të lartë të familjeve të cilat e kanë të domosdoshme një banesë.
Bashkia e Tiranës megjithë taksën 3% për strehimin social, metrat katrorë që i takonin nga kjo taksë i ka marrë në para, të cilat nuk janë përdorur për të ndihmuar qytetarët për strehim.
Një cifti të ri në Tiranë i cili krijon për herë të parë një familje i duhen 70 vite punë për të pasur të vetin një apartament.
Nga një investigim i emisionit ‘Kronos’ nga 292 mijë kontrata me OSHEE në Tiranë rreth 51 mijë banesa e kanë faturimin zero lekë, që do të thotë që janë të pabanuara.
Këto 51 mijë banesa të pabanuara, janë të blera me para të pista dhe që mbahen stok pa u përdorur të cilat kanë bërë të mundur rritjen në mënyrë fiktive të çmimit të apartamenteve për metër katrorë, rrjedhimisht edhe blerjen për familjet që punojnë me punë të ndershme dhe me rroga mesatare.
Me një llogari të thjeshtë, 51 mijë apartamente me një mesatare prej 100 metrash katrorë për apartament bëjnë 5 milionë e 100 mijë metra katrorë. Me një çmim mesatar prej 1200 euro metri katrorë, apartamentet e pabanuara kapin vlerën e 6.3 miliardë euro.
Pra këto 6.3 miliardë euro janë pastrim i parave të pista që shkojnë në nivel të barabartë me buxhetin e shtetit për vitin 2024.
E thënë me thjesht, vetëm Bashkia e Tiranës ka pastruar para të pista sa i gjithë buxheti i shtetit shqiptar.
I bëjmë thirrje institucioneve të drejtësisë dhe organizmave ndërkombëtarë që të ndërhyjnë sa më shpejt për të ndaluar këtë fluks të frikshëm të pastrimit të parave të pista që po kthehet në një skemë piramidale të dytë për Shqipërinë.