Izraeli arriti një marrëveshje me Katarin për të lejuar dërgimin e barnave jetike me recetë për pengjet izraelitë në Gaza, tha zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në një deklaratë.

“Mjekimi do të dorëzohet në ditët në vijim,” vuri në dukje ai.

David Barnea, shefi i agjencisë së inteligjencës izraelite Mossad, udhëhoqi bisedimet me Katarin nga ana izraelite, shtoi zyra.

Negociatat e nivelit të lartë përfshinin bisedime për rritjen e sasisë së ilaçeve që Izraeli lejon në enklavën e rrethuar për civilët e Gazës. Megjithatë, deklarata nuk përmend nëse është arritur përparim në këtë çështje.

Rreth 132 persona mbahen ende në Gaza nga Hamasi dhe grupet e tjera militante pasi u rrëmbyen gjatë sulmit të befasishëm të Hamasit më 7 tetor.

Bombardimet dhe rrethimi izraelit kanë krijuar një krizë të rëndë humanitare në Rripin e Gazës, duke vrarë më shumë se 23,000 njerëz, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb