Banorët e Gjermanisë qendrore nga rajoni i Këlnit deri në Turingi, i cili është prekur që dje, e mërkurë, nga stuhia “Gertrude”, duhet të përgatiten për “reshje bore të vazhdueshme dhe të dendura”, paralajmëroi në orët e para të mëngjesit Shërbimi Federal i Motit (DWD), i cili bëri sërish thirrje për kujdes shtesë në udhëtime. “Presim stuhi dhe sasi të mëdha bore, deri në 30 centimetra brenda 24 orëve”, njoftoi Shërbimi dhe foli për rrezikun e “problemeve të mëdha të trafikut” . Megjithatë dukuritë pritet të zbuten nga mbrëmja.

Gjatë natës, qindra makina u bllokuan në autostrada në Hesse dhe Rheinland-Pfalz për shkak të borës së madhe dhe kushteve atmosferike. Ekipet e urgjencës u siguruan shoferëve batanije dhe pije të nxehta, tha policia. Dje ka pasur edhe shumë aksidente të vogla të shkaktuara nga ngrica në shumë zona, pasi në rrugë dhe trotuare është krijuar akull, ndërsa një burrë ka humbur jetën në Mecklenburg-Pomerania, pasi është përplasur nga një makinë e cila më parë ishte përmbysur. Në aeroportin e Frankfurtit edhe sot priten probleme, ku shërbimet përkatëse këshillojnë pasagjerët të kontrollojnë fluturimet dhe nëse anulohen të mos shkojnë në aeroport. Qindra fluturime u anuluan ditën e djeshme pasi nuk u bë e mundur heqja e akullit dhe borës nga avionët në kohën e duhur. Në shumë zona të Bavarisë dhe Hesse, shkollat mbetën të mbyllura dhe mësimet u mbajtën online, gjë që pritet të përsëritet sot.

Në hekurudha situata ishte më e mirë, por trenat janë me një fluks më të madh këto ditë, për shkak të kufizimeve në udhëtimet ajrore dhe rrugore. Dje dhe sot janë anuluar linjat nga Frankfurt, Shtutgart dhe Saarbruecken për në Paris.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb