Kryeministri hungarez Viktor Orban tha sot se ai kishte “bërë gjithçka” për vendin e tij përpara se të binte dakord për një paketë të re ndihme evropiane prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën, duke shtuar se ai kishte shmangur rrezikun që Budapesti të humbiste fondet e BE-së.

27 liderët e BE-së ranë dakord njëzëri të enjten për të ofruar 50 miliardë euro shtesë ndihmë gjatë katër viteve të ardhshme për Ukrainën.

Marrëveshja u njoftua shumë shpejt, pavarësisht faktit se për javë të tëra Hungaria – një vend që ka refuzuar të dërgojë armë në Ukrainë që nga shpërthimi i luftës me Rusinë – ka shprehur kundërshtimin e saj për sigurimin e burimeve shtesë për Kievin, një çështje për të cilën ajo ka veton në dhjetor.

Në intervistën e tij në radion shtetërore sot, Orbán tha se marrëveshja e djeshme ishte e mirë.

“Bëra gjithçka”, theksoi ai. “Nëse kjo marrëveshje nuk do të ishte arritur dhe Hungaria do të përdorte ende të drejtën e vetos, atëherë 26 vendet anëtare do të kishin rënë dakord që t’i dërgonin paratë në Ukrainë (…) dhe ata do të kishin marrë burimet e destinuara për Hungarinë dhe do t’u jepnin atyre në Ukrainë’, tha ai.

“Ne nuk dërgojmë armë (në Ukrainë), ne i marrim paratë tona nga Brukseli dhe do të kontribuojmë në financimin politik të Ukrainës”, shpjegoi kryeministri hungarez.

Pasi liroi disa nga fondet e BE-së të destinuara për Hungarinë në dhjetor, Komisioni Evropian ende po mban rreth 20 miliardë euro Budapestit, për shkak të shqetësimeve për sundimin e ligjit në Hungari.

Orban në intervistën e tij sot përsëriti se negociatat e paqes midis Ukrainës dhe Rusisë duhet të fillojnë me afrimin e dyvjetorit të fillimit të luftës dhe “koha është në anën e palës ruse”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb