Romani “Goja e Botës” i Zija Çelës
1
Titulli paksa i çuditshëm, ç’është kjo “gojë bote”? Mendja të shkon fill te bota në kuptimin të tjerët, të panjohurit, të largëtit. Por jo. Zija Çela është romancier i një rrafshi tjetër. Në romanin “Goja e Botës” ka guxuar shumë. Dhe ka mbërri çka ka guxuar.
Duke bërë dallimin midis burrit të shtetit dhe politikanit, Çërçilli pati thënë se burri i shtetit mendon për të ardhmen, ndërsa politikani mendon për zgjedhjet e ardhshme.
Librat e mëdhenj janë burrështetasit e artit. Ata e shpërfillin modën e tregut të ditës, pa
iu nënshtruar konjukturës a kompromiseve.
Edhe për Zija Çelën kjo ka një çmim. Është çmimi i të qenit elitë.
2
Për kah kompozimi, të kujton romanin e Orhan Pamukut “Unë jam e kuqja”. Për kah universi që krijon, të kujton Markezin. Fifara, ku Z. Çela zhvillon ngjarjet, është një lloj Makonde, me prerje të caktuar. Një botë paralele, fiction. Penele të realizmit magjik, ngjyra të jetës së përditshme.
Ardhja e një bujtësi jo të zakontë për bibliotekat e dashnorëve të letrave ndihet qysh në faqet e para. Jeta e Fifarës shpalohet në një teatër veror, ku prej vitesh është vënë në skenë e luhet pa pushim një tragjedi e madhe, “Hamleti”. Aktorët janë shikues dhe shikuesit janë aktorë.
Metafora që lidh romanin të rrëqeth, të shkund. Secili duket sadopak shekspirian. Edhe kotësat nuk janë bjerraditës baresh e motelesh. Në mos tjetër, fantazitë i kanë madhështore. Janë të bindur se në Fifarë kanë ndodhur 127 ngjarje të mëdha për njerëzimin. Pohim i tepruar, por e mbrojnë duke përfshirë ngjarje që mund të kishin ndodhur. Ata thonë: “Nëse NASA do të ishte në Fifarë, a nuk do të ngriheshin anijet kozmike nga trojet tona?!”
Asnjëri nuk ëndërron pare të madhe, pushtet aq më pak. “To be or not to be sot është baras me Time is Money”, pohon dikush, por ky zë mbetet në surdinë. Endërrojnë vetëm skenën. Bëjnë prova fshehtas para pasqyrës me luejtë një ditë Princin. Në rrugë përshëndeten me gjuhën e teatrit londinez Globus. “Mirëmbrëma Imzot. Ç’të reja kemi nga Elsinori?”; “Mirëmbetsh Imzot, tani më duhet t’ju lë shëndenë, kam një pikëpjekje me mbretin, se këtë muaj ma ka rrasur keq me faturat e mishit”. Me 4680 banorë Fifara ka 989 Hamletë. Tragjikë apo komikë?
Ndiejnë se potencialisht janë në lartësitë e Botës. Kanë ide, energji. Një mallkim i kushedikurshëm (shalli i Eridrivës – kjo botë është edhe fat!) ka lëshuar ndërmjet tyre dhe botës tjetër malin e pakalueshëm, ata kanë mbetur në hijetinë, të shmangur. Gjilpëra e fushës së tyre magnetike dridhet në një kah: në anën e matanshme të malit, ku ndodhet Fifara 2. Vetëdija dhe nënvetëdija rrahin për andej. Me gojën e botës, me veshin e botës, me zhbirime të turbullta tunelesh.
Gjithçka të botës së madhe e ndërtojnë virtualisht në qytetin e tyre sa grima. Kënaqen duke kujtuar se “Yllin polar s’e ka Arusha e Madhe, e ka Arusha e Vogël. Kështu mund të ndodhë edhe me Fifarën e vogël”.
Përplasja ndërmjet thirrjes së brendshme deri në ulurimë me mbërri Botën dhe pamundësisë për shkak të ndarjes, i bën groteskë. Një ironi e butë, dashamirëse ndihet si shije erze përgjatë romanit. (A nuk thotë Konica? “Ironia, kjo bimë me aromë të këndshme e të lehtë.”) “Qëndrova tri ditë me ta, m’u bënë dyzet e shtatë pyetje për Uollt Uitmanin dhe njëzet e gjashtë për librat e mi, madje mua më pyetën nëse shkruaja përralla, por kurrkush nuk më pyeti nëse jam apo s’jam i martuar, kam apo s’kam fëmijë, ku punoj dhe sa paguhem”. Kështu i thotë së shoqes një poet amerikan, sapo kthehet nga Fifara në Nju Jork.
Veçimi ua ka brejtur karakterin në brendësi. Madhështinë që ngin ajrin e ushqen e kundërta e saj, dobësia. Komplekset e fshehta i bëjnë të varur prej një Hamleti të rremë, tek i cili shohin sharm metropoli. E shndërrojnë në idhull, ani pse s’është aq i fismë. Me sjelljen cipëplasur e cinik si Votren, me “tiraninë” e njeriut publik, i poshtëron. Ata vazhdojnë me e dashtë me një mazohizëm heroik.
Romani nuk e vret shijen e të jetuarit, la joie de vivre. Banorët e Fifarës gjejnë gjithnjë motiv me e gëzue jetën. Tekefundit “janë mësuar të kënaqen me merita që vetë ia njohin vetes”, lexojmë në roman.
Tipikë shqiptarë, do të thotë dikush. Ballkanas, mund të ngulë këmbë tjetri, duke huazuar këtë cilësor nga fjalori i modës politike.
Janë thjesht fifaras. Dhe Fifara mund të gjindet ose mund të zhvendoset edhe në gjysmën tjetër të rruzullit. Mali i saj rrotullohet. Mund të ngulet e të peshojë kudo me hijen frymëzënëse. Kreshta (e malit ndarës) është në kurriz, thotë dikush. I ktheve shpinën dikujt, mali i pakalueshëm u ngrit.
Bota e “Gojës…” është shqiptare sa edhe gjithnjerëzore.
3
“Goja e Botës” nuk është galeri që mund të vizitohet si turist.
Romani ka dendësi të frikshme. Mund të lexohet veçse ngadalë, duke u përqëndruar dhe duke pushuar. Në të mungojnë pikat e vdekura, kur bateritë e krijuesit cijatin, lypin me u ngarkue. Mungojnë faqet e venitura dhe paragrafët e sforcuar, s’ka terina a gropa nëpër të. Me një frymëzim dhe energji krijuese të pazakontë, në të 434 faqet autori ruan të njëjtin ritm të lartë kallëzimi – ose, siç quhet, narrative – të kontrolluar mjeshtërisht. I ngjeshur në mendim, në kulturë, në gjuhë. “Analfabetizmi më i rrezikshëm është ai i të shkolluarve. Këtu injoranca kthehet në institucion, një institucion më i mbrojtur se i dijes, sepse ai mbrohet me diploma dhe tituj të pamerituar.” “Tri gjëra mbaji mend prej meje, profecitë e tepërta, katarsisi i tepruar dhe lavdia me tepricë mund ta mbysin njeriun.“ “Çdo ditë plagos, por njëra të vret.“ Sentencat e shumta e bëjnë më të thekshme përmasën filozofike të veprës. Nëse do t’u binte në mend, hulumtuesit e fjalëve të urta do të gjenin punë te “Goja e Botës”.
Fjalor i buruar, fjalë të rralla shqip (me u letue në mend, mëlmesë, bythambrapsht…). Aty-këtu trajta gramatikore të gegnishtes, të punësuara “në të zezë”, se janë “të palegalizuara”. Mjaftojnë dy-tri fjali për me kuptue sa e pazëvendësueshme është për gjuhën shqipe mënyra paskajore e foljes. “Ah, sa mirë dinë të qajnë njerëzit që dinë me dashtë!” Mënyra përcjellore me pjesëzën kah, me përhapje të gjerë në gegnisht, shërben ndër të tjera si kohë e tashme dhe si kohë e ardhme: “Zot, rri me ne se është kah erret!” Listimi i emrave të 160 personazheve është krejt shqiptar. Jo për kah lënda gjuhësore e ngjizjes, por sepse janë copëza të natyrshme realiteti.
Po, Zija Çela ka guxuar shumë. Dhe ka mbërri çka ka guxuar.