Viti 2023,viti i turizmit në Berat. Atraksionet turistike kanë qënë Muzeu Kombëtar Ikonografik Onufri, Kalaja dhe dy lagjet muzeale Mangalem e Goricë.

Drejtori i Muzeut Onufri, Miklor Masku”-:Viti 2023,me shifra përtej çdo parashikimi. Kanë nisur vrullshëm edhe prenotimet për këtë vit”.
Viti 2023 mund të quhet pa asnjë dyshim viti i turizmit në qytetin e Beratit,vit me shifra përtej çdo parashikimi nga ana e specialistëve dhe agjensive turistike në Berat.

Statistikat flasin qartë se vendet më të vizituara të turistëve (vendas e të huaj) kanë qënë Muzeu Kombëtar Ikonografik Onufri, Kalaja dhe dy lagjet muzeale: Mangalem e Goricë.

Të dhënat që paraqesin sot agjencitë turistike në qytet flasin për një fillim të dukshëm të prenotimeve nga turistë të huaj, të cilët ndër destinacionet e tjera në Shqipëri, kanë përzgjedhur edhe Beratit në guidat e tyre një dhe dy ditore.

Drejtori i Muzeut Ikonografik Onufri, Miklor Pasku, ka konfirmuar se viti 2023 është viti i turizmit, viti më i jashtëzakonshëm e me shifra përtej çdo parashikimi të turistëve që kanë vizituar “Muzeun Onufri”.

“Ne flasim për 75 mijë vizitorë, që e kanë vizituar “Muzeun Onufri” në vitin 2023,gati dyfishi i atyre që e kanë vizituar këtë muze në vitin 2022.Muzeu ka qenë i tejmbushur përtej çdo kapaciteti, sidomos në muajt e verës, ndërkohë që sezoni u zgjat deri në muajin nëntor 2023.Interesi për ta vizituar këtë muze është shumë i lartë, pasi ai është i përfshirë tashmë në të gjitha guidat e agjencive turistike.
Turistët më të shumtë në numër që kanë vizituar “Muzeun Onufri” janë: Spanjollët, Polakët dhe Italianët, që pasohen nga vizitorët nga Franca, Gjermania, SHBA, vendet Arabe, Azia e Largët, Japonia, Tunizia etj”, ka thënë Pasku.

Ai ka deklaruar se kjo është arritur edhe falë një punë të shkëlqyer të Ministrisë së Kulturës, e cila promovon vlerat tona të trashëgimisë, të traditës e të kulturës, duke e fokusuar punën e saj të promovimit në tërheqjen e sa më shumë vizitorëve por edhe në zgjerimin e tregut të turizmit.

Duke deklaruar se, në të gjithë kurorën e bukurive dhe atraksioneve kulturore, Muzeu Onufri është guri që i jep bukurinë më të madhe dhe është përfundimi final i të gjitha guidave në qytetin e Beratit, Pasku shprehet entuziast në pritjen e një fluksi edhe më të madh vizitorësh dhe një interesi shumë më të madh nga agjencitë turistike për këtë vit.

“Tashmë kemi filluar edhe prenotimet për muajt në vazhdim, ku shumë grupe kërkojnë orare, kërkojnë çmimin e biletave dhe disponibilitetin tonë”-,shprehet Pasku.

Qendra Kombëtare e Muzeumeve konfirmon nga statistikat se nga janari deri në dhjetor 2023 Muzeu Onufri u vizitua nga 76 052 vizitorë vendas e të huaj, ndërsa në 2022 ky muze u vizitua nga 39 052 vizitorë, pra 95% më shumë.

Sipas Qendrës Kombëtare të Muzeumeve, kjo rritje ridimensionon gjithë punën në promovimin e trashëgimisë artistike, por dhe ruajtjen e saj nga efektet që vijnë nga kjo rritje e vizitueshmërisë.

Muzeu Ikonografik “Onufri”,që mban emrin e njërit prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shekullit XVI, Onufrit, përbëhet nga një koleksion prej 173 objektesh të përzgjedhura nga një fond prej më se 1500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: