Policia e Lezhës ka nisur procedimin penal për një 25-vjeçar nga Kosova, i cili tentoi që të korruptonte një efektiv për t’i shpëtuar gjobës.

Burime zyrtare nga policia bënë me dije se bëhet fjalë për shtetasin me inicialet A. K.

NJOFTIMI I POLICISE
Tentoi të korruptonte punonjësin e Policisë Rrugore, për t’iu shmangur ndëshkimit administrativ për parakalim të gabuar, procedohet penalisht 25-vjeçari nga Kosova. Për shkeljen rrugore të kryer, ai u ndëshkua më masë administrative 5000 lekë. Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Lezhë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin kosovar A. K., 25 vjeç, sepse ka tentuar të korruptojë punonjësin e Policisë Rrugore, që të mos ndëshkohej me masë administrative pasi kreu parakalim të gabuar në aksin rrugor “Milot-Lezhë”.

Krahas procedimit penal, 25-vjeçari u ndëshkua me masë administrative 5000 lekë, për shkeljen rrugore të kryer. Gjithashtu, Policia Rrugore e Lezhës, gjatë 1 jave, si rezultat i monitorimit të akseve rrugore me shërbime të shtuara dhe me mjete inteligjente, ka arrestuar 4 shtetas dhe ka iniciuar procedimet në gjendje të lirë për 2 të tjerë, për shkelje rrugore të parashikuara në Kodin Penal.

Më tej, janë ndëshkuar administrativisht në total 797 drejtues mjetesh, konkretisht:
-405 drejtues mjetesh, për tejkalim shpejtësie;
-111 drejtues mjetesh, për parakalime të gabuara;
-15 drejtues mjetesh, për përdorim të xhamave të erresuar;
-41 drejtues mjetesh, për përdorim të celularit, gjatë drejtimit të mjetit;
-10 drejtues motomjetesh, për mosvendosje të kaskës mbrojtëse;
-30 drejtues automjetesh, për mosvendosjen e rripit të sigurimit;
-185 drejtues mjetesh, për shkelje të tjera.

Kontrollet e shtuara nga Policia do të vijojnë, në të gjitha akset rrugore urbane, interurbane dhe rurale, si edhe duke përdorur të gjitha mjetet bashkohore logjistike, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Policia Rrugore e Lezhës apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të mos kryejnë parakalime të gabuara, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, si dhe të mos drejtojnë automjetin në efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb