Vëllezërit korçarë, Endri dhe Stefi Prifti, ishin në qendër të programit “Gëzuar me ju” këtë të diel. Të rrethuar nga miq e bashkëpunëtorë, ata interpretuan disa prej projekteve të tyre muzikore dhe ndanë rrëfime për rrugëtimin e tyre profesional, por edhe personal.
E pranishme në program ishte Drita Ziri fituesja e “Miss Earth 2023”, e cila gjatë gjithë programit mbante vendosur kurorën, teksa ndau emocionet e asaj fitoreje të madhe. “Ishte një event shumë i madh. Ishte viti i parë që përfaqësoheshim nga ‘Miss Shqipëria’ dhe fituam çmimin e parë. Një fitore kaq e madhe jo vetëm për mua, por edhe për gjithë Shqipërinë”.
Drita Ziri ka qenë pjesë e videoklipit të këngës “Lozonjare” të vëllezërve korçarë, dhe në lidhje me këtë, ajo tha se të gjitha eksperiencat që ajo ka patur përpara “Miss Earth” kanë qenë një ogur i mirë për këtë fitore.
Bukuroshja Drita Ziri u shpreh se ka shijuar shumë këngën “Lozonjare” dhe gjithashtu edhe ditët kur ata e kanë xhiruar këtë projekt të bukur muzikor.
Stefi theksoi se pas suksesit të Drita Zirit në “Miss Earth 2023”, kënga e tyre në YouTube “Lozonjare” është dëgjuar dhe komentuar shumë nga të huajt.
(BalkanWeb)