TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka inspektuar sot nga afër punimet e nisura për ndërtimin e rrugës Qukës-Qafë Plloçë, të cilin Rama e cilëson si një segment të rëndësishëm për korridorin Tiranë-Korçë. Sipas kryeministrit, kjo rrugë i jep frymëmarrje të re ekonomisë prodhuese.

“Duke ndjekur punimet për rrugën Qukës-Qafë Plloçë, një segment me rëndësi të veçantë për korridorin Tiranë-Korçë që do t’i japë frymëmarrje të re ekonomisë prodhuese të zonës në veçanti po do të ndikojë shumë pozitivisht për të gjithë vendin, sepse siguron një lidhje më të shpejtë me Portin e Durrësit për të gjithë transportin ndërkufitar”,- shkruan Rama në një status të tijin në Facebook.

Projekti i rrugës Qukës-Qafë Plloçë, pjesë e Korridorit Tiranë-Korçë (Korridori VIII), investim me vlerë 152 milion dollarë është rikonceptuar tërësisht nga e para, pasi në projektin fillestar nuk ishte parashikuar asnjë lidhje rrugore mes fshatrave, ndërsa tashmë ka të përfshirë plot 120 ura dhe nënkalime për banorët e zonave që përshkon kjo rrugë, si dhe sinjalistikën dhe të gjithë elementët e domosdoshëm të sigurisë, të gjitha këto të parashikuara me të njëjtin fond investimi.

Segmenti rrugor me gjatësi 43.4 km së bashku me rrugën Tiranë-Elbasan, kanë një rëndësi të veçantë për ekonominë shqiptare, pasi ai do të sigurojë një lidhje më të shpejtë dhe komode midis Portit të Durrësit, portit kryesor të vendit sot, – një prej porteve më të rëndësishëm të Ballkanit për nga volumi i mallrave – dhe vendeve të tjera si Greqia, Turqia, Maqedonia, Bullgaria etj. Në këtë mënyrë, projekti e bën Shqipërinë vendin më të përshtatshëm për të kryer tranzitin nga vendet e Ballkanit drejt Europës dhe anasjelltas.

Për të parë nga afër ecurinë e punimeve për këtë nyjë të rëndësishme infrastrukturore ishte në Korçë bashkë me kryeministrin Edi Rama edhe zëvendëskryeministri Niko Peleshi, ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, si dhe deputetë e drejtues lokalë të zonës.

Kjo rrugë, me rëndësi të veçantë për zhvillimin e vendit, bashkon Korçën dhe Tiranën, duke lidhur motorin kryesor të zhvillimit të vendit me polin lindor zhvillimor të saj. Rruga mundëson lidhjen e bizneseve dhe prodhuesve në zonat e Korçës, Pogradecit, Librazhdit dhe Elbasanit me tregjet e tjera kryesore të vendit.

Një impakt të rëndësishëm zbatimi i këtij projekti, ka në zhvillimin e turizmit, duke krijuar premisat për një zhvillim më të qëndrueshëm të zonës turistike rrotull liqenit të Pogradecit. Korridori rrugor do të shërbejë si një by-pass për qytetin e Pogradecit, duke forcuar potencialin turistik të tij, si një nga qendrat turistike të Shqipërisë juglindore, duke eliminuar ndotjen në zonën e liqenit dhe të qytetit, për shkak të tranzitimit të mjeteve të tonazhit të rëndë. Projekti krijon përmirësime të dukshme të lëvizjes, duke bërë që distanca ndërmjet pikave të lidhura nga ky segment rrugor të shkurtohet me afro 8 km krahasuar me variantin ekzistues. Ndërkohë, shpejtësia mesatare e lëvizjes së mjeteve rritet për arsye të shmangies së trafikut të rënduar përgjatë qytetit të Pogradecit.

Drejtuesi i Autoritetit Rrugor e njohu kryeministrin Edi Rama me detaje të projektit dhe ecurinë e tij në ndërtimin e 15 kilometrave të parë. “Jemi në segmentin e parë prej 15 kilometrash që ka një fond prej 38 milion dollarë. Projekti ka një gjerësi prej 12.5 metra dhe përmban edhe një numër të madh të veprave të artit. Ka patur një problematike lidhur me topografinë e projektit fillestar, ku ka patur një disnivel prej 12 metrash. Faza tjetër vazhdon, është loti i dytë, përfshin edhe një tunel që është duke u bërë,” u shpreh Dashamir Xhika, Drejtues i ARRSH-së.

Duke marrë parasysh specifikat e terrenit, drejtuesit e punimeve e informuan kryeministrin se projekti i mëparshëm, i vitit 2011, nuk kishte të parashikuar asnjë nga parametrat e sigurisë. “Ka patur defekte projekti i parë, ai që është realizuar në 2011. Nuk ka patur të parashikuar asnjë nga parametrat e sigurisë”, u shpreh një prej tyre.

Nga ana e tij, kryeministri u shpreh se tashmë çështja e sigurisë së rrugëve është plotësisht e zgjidhur nga pikëpamja e parametrave dhe standardeve. “Me të drejtë njerëzit nuk e kuptojnë sepse i duan gjërat të bëra me shpejtësi. Por, që të bëhen me shpejtësi të madhe duhen filluar që nga baza, ashtu siç duhen, jo t’i rikthehesh dhe njëherë themeleve, se përndryshe mund të bjerë e gjithë ngrehina,” u shpreh kryeministri Edi Rama.

Kryeministri theksoi se janë marrë masat që në këtë projekt infrastrukturor të gjithë komunitetet t’a aksesojnë rrugën ashtu siç duhet, me parametra dhe standarde të përcaktuara. “Një nga problemet kryesore që kishte projekti ishte që ishte një mur me rrugë ku asnjë nga njerëzit e gjithë kësaj hapësirë nuk kishte asnjë lloj aksesi. Pastaj, me dëmin përkatës për ekonominë, për aspektin social. Tani është marrë masa që të gjithë komunitetet ta aksesojnë rrugën ashtu siç duhet, me parametra dhe standarde të përcaktuara. Njëkohësisht, për sa i përket çështjes së vaditjes, të mos ketë dëmtime dhe pengesa për shkak të rrugës,” deklaroi kryeministri Edi Rama.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb