Busti i atdhetarit, dhe kontributorit të Normales së Elbasanit, Hasan Prishtina, është vendosur sot në shkollën “Luigj Gurakuqi”, ish Normalja e Elbasanit.

Në ceremoninë e organizuar në kuadër edhe të “7 Marsit”, ditës së Mësuesit, kanë marrë pjesë mësues, kryetari i bashkisë Gledian Llatja drejtuesit lokalë, si edhe Mehmet Prishtina, Drejtor i Fondacionit Hasan Prishtina- stërnip i Hasan Prishtines, i cili është edhe donator i bustit për normalen e Elbasanit.

Në fjalën e tij, Llatja, përcolli urimet për mësuesit, ndërsa duke u ndalur tek ceremonia e vendosjes së memorialit të Hasan Prishtinës në këtë shkollë, vlerësoi kontributin e vyer që ai ka dhënë për Normalen e Elbasanit, i cili shkriu tërë pasurinë që e posedonte në qytetin e Shkupit për të dërguar nxënës nga trevat shqiptare në “Normalen Elbasanit”.

“Në muzeun tonë të shkollës “Normale”, erdhi busti i Hasan Prishtinës, ai u kthye në vendin që aq shumë e deshi. Ne kemi pasur shumë patriotë të nderuar të të gjithë trevave shqiptare dhe Hasan Prishtina është një nga ato që ka shkrirë pasurinë e tij për gjuhën shqipe, për kombin shqiptar.

Ne nuk duhet të harrojmë, që në 1 dhjetor të vitit 1909 kur ka rënë zilja e parë e Normales për të filluar mësimi, ka rënë me orën e dhuruar nga Hasan Prishtina.

Kanë qenë mbi 21 nxënës të ardhur nga Kosova për të mësuar në Normalen e Elbasanit, me mbështetjen financiare të Hasan Prishtinës, për t’u arsimuar dhe për t’u rikthyer sërish në Kosovë, për të dhënë më të mirën e tyre për edukimin e fëmijëve në të gjithë trevat shqiptare”.

Busti2
Busti2

Hasan Prishtina nuk ka mbështetur vetëm nxënësit e Kosovës, por edhe të rinjtë dhe fëmijët nga Maqedonia e Veriut, nga trevat në Mal të Zi, nga Lugina e Preshevës, për të mos humbur rrënjët e tyre shqiptare, të kenë identitetin e tyre të lidhur fort me arsimin dhe me gjuhën shqipe.

“Normalja e Elbasanit ka qenë dhe do të mbetet krenaria jonë në qytet, ne do të vazhdojmë t’i mbështesim patriotët tanë të cilët kanë dhënë kontribut për ta bërë Elbasanin një vend dhe me një shkollë të ndritur, që ky ndriçim të kalojë në të gjithë trevat shqiptare. Nderime për të gjithë mësuesit që kanë dhënë kontributin e tyre për edukimin e brezave në të gjitha trevat shqiptare.

Respekte pa fund për të gjithë patriotët, të cilët kanë dhënë gjithçka për çështjen kombëtare, për arsimin shqiptar dhe për të çuar përpara kulturën dhe dijen në gjuhën shqipe.

Respekte dhe për Hasan Pristhinën, dhe për pasardhësin e tij, i cili vazhdon me kaq vullnet kauzën e nisur nga ai”.

Më pas ceremonia ka vijuar me çertifikata nderi për ish Normalistë dhe mësuesit Tomorr Arianiti, Minerva Himci, Panjot Lena, Bleta Dervina me motivacioni “Për kontributin e shquar të dhënë në sistemin arsimor shqiptar dhe në edukimin e brezave të rinj”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb