Deputetja e PD-së Flutura Açka, duke komentuar dialogun ndërmjet PS-së dhe PD-së së Rithemelimit për ngritjen e Komisioneve Hetimore dhe kthimin e jetës normale parlamentare, ka ironizuar kryeministrin Edi Rama. Açka shprehet se Edi Rama është njeriu që ka shkatërruar Reformën Zgjedhore, është njeriu që dëshiron që vetëm ai dhe ato që dëshiron mund të zgjedhin deputetët, shkatërroi votën e emigrantëve etj.

Postimi i deputetes demokrate Flutura Açka:

Me gjuhën e tij kanalhanshe, kryeministri ynë i nderuar iu sul sot çdo shqiptari që dyshon se çdo marrëveshje e tij politike me Foltoren, është e dyshimtë dhe se është vetëm përsëritje e marrëveshjes famëkeqe e vitit 2008, mes tij dhe Berishës. Aty po e nis edhe qartësimin për shqiptarët:

Ju, zoti Kryeministër, jeni njeriu që keni humbur çdo besueshmëri për të bërë rolin e atij që ka ndonjë dije për rolin e tij në postin e tij. Ju jeni sjellë gjithë kohën tuaj në pushtet si kryetari i PS-së, një herë si “rilindas”, një herë si shofer me timon, një herë si dajrexhi, dhe herë-herë edhe si politikan. Dhe në konceptin shqiptar të politikanit, ju jeni një politikan, përderisa po i jepni një kockë edhe manovristëve, po të flas me terminologjinë e përdorur dje nga shpura e “idiotëve” që jua paskan prishur rehatinë.

Ju, zoti Kryeministër, nuk doni zgjedhje të ndershme në këtë Shqipërinë tonë, ju keni luftur me gjithçka ju kanë dhënë shqiptarët si privilegj, që të mos e sillni vullnetin e tyre në Parlamentin e tyre. Ju nuk do t’i hapni listat, me qëllimin të sillni po këtë konstelacion butakësh pesimistë dhe perfidësh manovristë, vetëm për pushtetin tuaj. Që t’i zgjidhni ju deputetët dhe vetëm për pushtetin tuaj.

Ju, zoti Kryeministër, nuk do të sillni vullnetin e Diasporës shqiptare në politikën tonë, sepse i trembeni si djalli temjanit asaj, sepse ajo është Opozite prej vërteti dhe do ta ndryshojë Shqipërinë për kah Europa, jo Europa e ekraneve luksoze dhe e fjalimeve tuaja, por për kah Europa e vërtetë ku ajo, Diaspora Shqiptare, plot sa gjysma e jonë, jeton dhe meriton të respektohet nga kjo gjysma brenda vendit. Ju do të dilni edhe kundër Gjykatës Kushtetuese për këtë, pra kundër shqiptarëve, vullnetin dhe fatin e të cilëve ajo mbron.

Ju, zoti Kryeministër, nuk i doni shqiptarët të ndihen të barabartë para votës, sepse talleni me ta, dhe nëse ka një gjë që do të mbetet prej jush vërtet, janë përtalljet gjatë shëtitjeve tuaja zgjedhore që iu bëni shqiptarëve, duke u hargalisur me ta, ngaqë ia dilni t’i fyeni dhe madje t’u rrëmbeni edhe buzëqeshje kënaqësie nga fyerja që iu bëni. Kjo më është dukur përherë ana juaj antinjerëzore, e tillë, që nuk do të kisha dashur ta shihja nga kryeministri im. Batutat tuaja janë kthyer tani në fjalorin urban të qyeteteve dhe periferive dhe me ç’shoh kjo ju pëlqen, fundja kohë tallavash po jetojmë. Për ju një vlonjati vlen sa gjysma e një kuksiani, përderisa në Kukës duhen 13 mijë vota, dhe në Vlorë 7500 vota për një deputet.

Ju, zoti Kryeministër, krijuat sistemin e patronazhistëve, një rrjet të frikshëm që i tejkaloi madje edhe ata të ngritura nga Sigurimi i Shtetit. Jo vetëm që nuk ndiet ndonjë pikë turpi, por i duartrokitët, përgëzuat dhe i sponsorizuat, duke grabitur të dhënat e të njëjtit sistem që na e shitët si fitore të digjitalizmit kombëtar. Madje shkuat deri në dokëndisjen e madhe të kontrollit me satëlitet tuaj me emrin e madh Albania1 e Albania2, që do t’ua bënin rrup-sup shqiptarëve. Ju jeni nëna e cerimangës marrafrymëse të shqiptarëve. Ju, bashkë me shpurën tuaj, nuk po lini shkollë, institucion, klinikë, universitet pa e anëtarësuar në partinë tuaj mavi, që po iu shkaton mavijosje edhe lëkurës së shqiptarëve, dhe lirisë së tyre.

Ju, zoti Kryeministër, bashkë me manekinët, buratinot, marijonetat, kukullat, maskat, xholët tuaj, të cilëve iu jepni formën e statuetave tuaja larushane, krijuat për shqiptarët totemin e buratinos së Partisë Demokratike, Lulzim Bashës, me të cilin keni negociuar dikur, sikurse me manovristët e sotëm. Madje që ta shtrini përdhe për vdekje, jeni ndihmuar me një dorë të fuqishme edhe nga Foltorja jonë, edhe nga manovristët tanë, që të jetë më i helmët plumbi. A thua se ai nuk është Ata politikisht. Në fakt, ju nuk e keni me Lulzim Bashën, por me një frymë te re që mund të pështillet rreth tij, me njerëz që duan një Shqipëri normale, një politikë me erë njeriu dhe politikanë me integritet. Ju e dini se Luli është shënjestra juaj më e dobët, dhe ju fuqi deri aty nuk keni dhe e bëni shembull të fletë-rrufeve tuaja socialisto-foltoristo-manovriste.

Ju, zoti Kryeministër, e dështuat qëllimisht Reformën Zgjedhore, enkas që të shkonit te kjo alibi, të cilin besoni se, edhe të veshur me sheqer batutash dhe mbledhje vetulladh e dërdëllisje parlamentare, do ta besojnë shqiptarët. Jo, nuk ta besojë njeri, dhe ajo që kam dëgjuar nëpér korridoret e Parlamentit, dhe ajo që e pohoni edhe vetë se do të ruani po atë Kod Zgjedhor, sepse ai ju jep pushtet, është e vërtetë. Ju thjesht po hidhni kockën (lodër edhe ajo) një shpure që i druhet votës së lirë të shqiptarëve. Ju përfitoni nga një tufë deledashësh që e keni ngopur me të gjitha privilegjet që ua jep të qenit “anëtarë të zgjedhur”, por të përkedhelur dukshëm prej jush. Nëse nuk është kështu, jepini Komisionin hetimor të Shëtitjeve tuaja dhe mundësisht me ligjin e vjetër të Komisioneve Hetimore.

Ju, zoti Kryeministër, keni vetëm një qëllim: t’i bëni të gjithë idiotët t’ju besojnë juve kur të gjeni bishtëza se si ta kastroni SPAK-un, se si ta mpini Gjykatën Kushtetuese, se si ta zhbëni Reformën Zgjedhore dhe se si ta sterilizoni Parlamentin Shqiptar nga bezdisësit. E provuat këtë me njëfare ligji që nxituat ta sillni. Po e provoni me njëfarë Nënkomisioni në Komisinin e Ligjeve, ku partia zyrtare nuk ka asnjë qasje. Vendime të tilla të larta nga varen fatet e demokracisë shqiptare, do t’i bëni qartazi me manovristët e zgjedhur, që t’i bëni i qetë, i përligjur, ja ashtu duke ndryshuar ligje që do ta anojnë demokracinë shqiptare.

Ju, zoti Kryeministër, në shkelje të hapur të ligjeve të këtij shteti, korruptuat një figurë qendrore të FBI-së, gjë e njohur botërisht. E bëtë për të shkatërruar Opozitën shqiptare, mbi gërmadhat e shkatërrimit të së cilës keni hedhur valle dhe keni korruptuar edhe më, edhe më, edhe më, pra gjithçka që shihni e fluturon para jush. Me kushtin që të harrohet kjo çështje, e cila në substancë është një tradhëti e lartë ndaj demokracisë shqiptare, dhe do të ishte e tillë edhe sikur këtë ta bënte një politikan i Opozitës, ju do të nxitoni që ta mbyllni shpejt zullumin në favorin tuaj. Sepse po vijnë zgjedhjet, dhe një Zot e di çfarë ju ka zënë pritë fati. Kjo është arsyeja pse po amnistoni Berishën, pse pritët që të ristrukturohej Foltorja para se t’i shpallnin negociatat, kjo është arsyeja se pse i keni mbaruar negociatat dhe vetëm do t’i shpallni, dhe kjo është arsyeja pse doni ta vrisni Partinë Demokratike zyrtare, e cila nuk di pse ju del nëpër ëndrra te frikshme, me gjithë sponsorizimet që i keni bërë betonimit të totemit të “gjumashit” që e drejton. Jepini komisionin hetimor për McConigal dhe vetohuni kështu edhhe ju nga kjo histori turpi të dënueshëm.

Ju, zoti Kryeministër, keni muaj që mbani zvarrë dhënien e kryesimit të grupit Partisë Demokratike, do ta mbani zvarrë deri në fund padyshim me kinse çështjen e vulës, edhe pse e dini shumë mirë se rrugëtimet politike antiligjore të çetave, nuk janë në kodet e demokracisë. Ju po bëni një precedent të rrezikshëm, që një ditë do t’ju kthehet në derë tuaj, në partinë tuaj, kur dikush do të luajë edhe me ju si macja me miun. Mos e dhënte Zoti t’ju shoh një ditë të vraponi pas vulës edhe ju, pasi edhe tenxherja juaj mavi është me presion, mesa po shoh. Nëse e meriton ose jo Lul Basha kryesinë dhe vulën, nuk e vendosni ju, por e drejta. Nëse i takon shumicës apo pakicës vula, nuk e vendosni ju, por e drejta. E vendos Drejtësia. Të cilën po e shkatërroni për pushtetin tuaj, edhe personal.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: