Ambasada e SHBA në Tiranë ka përkujtuar Musine Kokalarin. Sipas njoftimit të ambadës, historia e Kokalarit, që me guxim sfidoi regjimin komunist në vend dhe luftoi për demokraci, është një histori që frymëzon edhe sot.
“Gjatë Muajit të Historisë së Gruas, ne nderojmë gratë e shquara që kanë ndryshuar botën, përfshirë Musine Kokalarin, një nga gratë më të guximshme shqiptare që sfidoi regjimin komunist.
Musine Kokalari (1917–1983) ishte shkrimtare, politikane shqiptare dhe themeluese e Partisë Social-Demokrate të Shqipërisë në vitin 1943. Pavarësisht se ishte një nga shkrimtaret e hershme të botuara në Shqipëri, ajo u përball me persekutimin nga regjimi komunist, i cili çoi në varfëri dhe izolim deri në vdekjen e saj. Refuzimi i saj për t’u përshtatur me një diktaturë dhe dashuria e saj për Shqipërinë na frymëzon edhe sot”, shprehet ambasada amerikane në Tiranë.
Kush është Musine Kokalari
Pas Luftës së Dytë Botërore u ftua nga Sejfulla Malëshova që të merrte pjesë në Lidhjen e Shkrimtarëve. E përndjekur nga pushkatimi i vëllezërve dhe duke qenë themeluese e partisë Social-Demokrate dhe organit të shtypit Zëri i lirisë, u arrestua më 17 janar 1946 dhe e mbajt 17 ditë në burg. Më 2 korrik të po atij viti, u dënua me 20 vjet burgim nga gjykata ushtarake e Tiranës si sabotatore dhe armike e popullit.
Pak përpara arrestit i dërgoi një letër Aleatëve, të cilët ende ishin në Tiranë. Në letrën e saj kërkonte zgjedhje të lira dhe lirinë e shprehjes. Në gjykatë, Kokalari mbajti këtë qëndrim:
“Nuk kam nevojë që të jem komuniste për ta dashur vendin tim! Unë e dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua progresin e tij. Edhe pse ju keni fituar luftën, edhe pse ju keni fituar zgjedhjet, ju nuk mund t’i persekutoni ata që kanë mendime të ndryshme politike nga ato tuajat. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju po më dënoni për idetë e mia. Unë nuk kërkoj falje, sepse unë nuk kam bërë asnjë faj!”
Më 1964, pas 18 viteve burgim në Burgun e Burrelit, e izoluar dhe nën vëzhgim, kaloi 19 vitet e tjera të jetës së saj e internuar në Rrëshen. Musineja punoi fshesare dhe 11 vjet në ndërmarrjen e Ndërtimit në Rrëshen, mes tullave, llaçit dhe betonit. Kur i mbaroi internimi më 1979 i thanë të shkonte në Gjirokastër, por pasi nuk e lejuan të shkonte në Tiranë, nuk pranoi të lëvizte nga Rrësheni. Ndërroi jetë më 13 gusht 1983.
Më 1991 familjarët e saj e zhvarrosën, tani e ka varrin në Shish-Tufinë.
(d.xh – Balkanweb)