Një restorant kushtuar aktores legjendare italiane, Sophia Loren do të hapë dyert në Hong Kong. “Sophia Loren House” është restoranti i parë i zinxhirit jashtë Italisë dhe do të hapet në mes të prillit në distriktin Wanchai të Hong Kongut.

Restoranti do të funksionojë në dyqanin katërkatësh Woo Cheong Pawn, një ndërtesë e trashëgimisë kulturore në Hong Kong.

Hapësira do t’i kushtohet Italisë së viteve 1960 dhe 1970, epokës së filmit të Federico Fellini “La Dolce Vita” dhe gjithashtu kulmit të karrierës kinematografike të Sophia Loren.

Restoranti, si katër të tjerët në Itali, është projektuar nga arkitektja italiane Ivo Maria Rentaelli, e cila ka zgjedhur për dekorim shumë vepra arti me temën e Sophia Loren.

Çdo kat i restorantit do të ofrojë sugjerime të ndryshme për ushqim, në katin e parë do të jetë piceri napolitane, në katin e parë ka një restorant italian me ushqime deti dhe gatime klasike. Kati i tretë përmban një pistë vallëzimi me temë retro të viteve 1970 dhe çatia është shtëpia e një bar koktejli.

“Kam pasur shumë pasione në jetën time dhe një prej tyre është padyshim ushqimi”, tha Lauren në një deklaratë. “Asnjë drejtor nuk ka mundur të më detyrojë ndonjëherë në dietë – dhe orët që kalova në kuzhinë duke gatuar, skuqur dhe pjekur ishin disa nga më të lumturat e jetës sime. Kur më kërkuan të krijoja një zinxhir restorantesh për nderin tim, pranova me kënaqësi këtë aventurë të mrekullueshme dhe jam krenare që jam pjesë e një grupi napolitanësh të talentuar që dëshirojnë të eksportojnë “të vërtetën” e kuzhinës napolitane në botë.” tha aktorja, sipas THR.

Sophia Loren House në Hong Kong do të jetë restoranti i pestë i zinxhirit. Sophia Loren hapi restorantin e saj të parë në Firence në vitin 2021 në partneritet me biznesmenin dhe politikanin napolitan Luciano Cimino dhe që ateherë rrjeti është zgjeruar në Milano, Aeroportin Fiumicino të Romës dhe Barit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb