Rusia e shtoi të ashtuquajturën “lëvizja LGBT” në listën e organizatave ekstremiste dhe terroriste. Ky veprim pason vendimin e Gjykatës së Lartë të Rusisë në nëntor 2023 sipas të cilit aktivistët LGBTQ+ duhet të konsiderohen si ekstremistë duke ju përgjigjur një peticioni të Ministrisë së Drejtësisë në Moskë.

Çfarë përmban lista e zezë?

Lista mbahet nga agjencia Rosfinmonitoring, e cila ka të drejtë të ngrijë llogaritë bankare që u përkasin njerëzve ose grupeve të klasifikuar si ekstremistë ose terroristë. Aktualisht lista përfshin 14,000 persona dhe grupime.

Organizata të tjera të përfshira në listën e zezë janë grupi terrorist islamik Al-Kaeda dhe firma amerikane e teknologjisë Meta, e cila zotëron Facebook-un dhe Instagram-in.Agjencia ruse e lajmeve RIA tha se organizata e përfshirë në listë është “lëvizja sociale ndërkombëtare LGBT dhe njësitë strukturore të saj”.

Në fillim të kësaj jave një gjykatë ruse urdhëroi që dy punonjës të një bari homoseksualësh të mbaheshin në paraburgim, duke shënuar rastin e parë të një mase të tillë që nga vendimi i Gjykatës së Lartë. Ata u akuzuan për drejtimin e një “organizate ekstremiste”.

Komuniteti LGBTQ+ në shënjestër të kufizimit të të drejtave

Autoritetet ruse kanë kufizuar gjithnjë e më shumë liritë civile në vend pas fillimit të luftës së Moskës në Ukrainë në shkurt 2022.

Rusia e ndaloi atë që ajo e quan “propagandë homoseksuale” midis të rriturve në vitin 2022, që ndalon shprehjen e “marrëdhënieve seksuale jotradicionale” në publik dhe në media. Në vitin 2013 kjo ishte ndaluar për të miturit.

Në të njëjtin vit Rusia ashpërsoi gjithashtu kufizimet ndaj atyre që i quan “agjentë të huaj”, duke e bërë më të lehtë për shtetin të godasë OJQ-të dhe faqet e internetit që marrin çdo lloj mbështetjeje nga jashtë vendit.

Vitin e kaluar Rusia ndaloi operacionet për ndryshimin e gjinisë. Kryetari i Dumës Viaceslav Volodin që e quajti ndryshimin e gjinisë “shteg drejt degjenerimit”.

Nga fillimi i goditjes mediat e pavarura si Novaya Gazeta dhe Meduza janë mbyllur nga autoritetet ose janë detyruar të shkojnë në mërgim./DW

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: