Snapchat, TikTok, Facebook e Instagram krijojnë varësi dhe kanë ndryshuar mënyrën e të mësuarit të nxënësve, sipas mësuesve kanadezë.
Katër borde të mëdha të shkollave në Kanada kanë ngritur padi ndaj rrjeteve më të mëdha sociale në botë, me akuza se platformat kanë prishur të mësuarit e nxënësve dhe kanë krijuar varësi te dëmshme te ata.
Padia e bordeve shkollore kërkon katër miliardë dollarë kanadezë dëmshpërblim për pasojat që platformat e rrjeteve sociale kanë shkaktuar qëllimisht ose me neglizhencën e “dizenjimit për përdorim kompulsiv, duke ndryshuar krejtësisht mënyrën sesi fëmijët mendojnë, sillen dhe mësojnë”.
Në deklaratën e sotme të bordit kanadez thuhej se nxënësit e shkollave po pësojnë “krizë të ruajtjes së vëmendjes, të të mësuarit dhe rrjedhimsiht të shëndetit mendor, prej përdorimi kompulsiv të produkteve të rrjeteve sociale”.
Paditë ndaj kompanive janë bërë veçmas por ato identifikojnë të akuzuarit si Meta Platforms Inc, Facebook e Instagram; Snap Inc, e cila menaxhon platformën Snapchat; si dhe kompaninë që drejton TikTok, ByteDance Ltd.
Në pretendimet thuhet: “Influenca e rrjeteve sociale te të rinjtë e sotëm në shkolla nuk mund të mohohet. Kjo ka sjellë probleme të humbjes së vëmendjes, reduktim të afërisë shoqërore, bullizëm kibernetik, agresion dhe probleme të shëndetit mendor”.
Drejtoresha e bordit të shkollave të Toronto, Colleen Russell-Rawllins, shtonte mes të tjerave se është e domosdoshme të ndërhyhet për të mbrojtur mirëqenien e të rinjve.
Shumë studime kanë treguar tashmë se platforma si Facebook e Instagram mbështeten qëllimisht te varësia e përdoruesve dhe zgjatja e qëndrimit të tyre në rrjet, çka përshkallëzon shpejt ankthin e depresionin te ata.
Në maj 2023, kirurgu i njohur amerikan Vivek Murthy tha: “Provat janë gjithnjë e në rritje se mediat sociale lidhen me lëndimet në shëndetin mendor të të rinjve.
Ai shtonte se ekspozimi të rinjve në përmbajtjet e dhunshme e seksuale shkakton humbje të kapacitetit të vëmendjes, të përqendrimit dhe shkëputje emocionale nga miqtë e familjarët e tyre.
Deri në 95 përqind e fëmijëve nga 13 deri në 17 përdorin rrjetet sociale, ndërsa një e treta i përdor vazhdimisht ato.
“Jemi në një krizë të shëndetit mendor te të rinjtë, dhe kam frikë se rrjetet sociale janë një nga nxitësit kryesorë të kësaj, prandaj problemi duhet të adresohet”, tha Murthy.
Tre shtete në SHBA paditën Meta vitin që shkoi me akuza se produktet e tyre dixhitale shkaktojnë dëme në shëndetin mendor mes të rinjve, fëmijëve e adoleshentëve.