Në nëntor të vitit 2022 me votën e shumicës parlamenti rrëzoi raportin e opozitës për konstatimin e pavlefshmërisë së mandatit të deputetes Olta Xhaçka, nga Gjykata Kushtetuese dhe miratoi raportin e socialistëve që në të kundërt, ishin të mendimit se nuk kishte vend për të përfshirë Gjykatën. Të dy këto vendime u ankimuan nga opozita, dhe në janar të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese i shfuqizoi ato, duke i konsideruar në shkelje të Kushtetutës. Ndërsa i dha të drejtë kërkesës së firmosur nga jo më pak se një e dhjeta e deputetëve, Gjykata nënvizoi se vlerësimi i papajtueshmërisë së mandatit të deputetes, nuk i takon parlamentit, por vetë Gjykatës.
Çështja u zvarrit nga socialistët në parlament, ku me kërkesë të tyre u mblodh Këshilli i Legjislacionit, u thirr për opinion dhe një ekspert kushtetues, e vetëm sot, në Këshillin e Mandateve, u arrit në përmbylljen e procedurave.
Por, kur pritej që sipas vendimit të Gjykatës, rasti t’i kalojë kësaj të fundit, përfaqësuesit e shumicës në Këshillin e Mandateve, hodhën hije dyshimi mbi qartësinë e vendimit.
“Gjithë diskutimi që po bëjmë sot, është nëse është gati parlamenti që t’ia japë kompetencën e vet, një të dhjetës, apo të vendosë vetë mbi një të dhjetën. Sepse deri tani, një ndër subjektet që e vë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, është një e pesta e deputetëve. Në fakt, këtu ka ndodhur diçka e çuditshme, në raport me të gjithë traditën e vendimmarrjeve të Gjykatës Kushtetuese, sepse për të njejtin objekt, Gjykata nuk legjitimoi një të pestën, por legjitimoi një të dhjetën, dhe kjo është të krijosh një normë të re”, u shpreh nënkryetarja socialiste e parlamentit Ermonela Felaj.
Ndërsa sipas kreut të grupit demokrat Gazmend Bardhi, vendimi i gjykatës nuk lë vend për interpretime: “Gjykata Kushtetuese vlerëson se në rastin konkret, Kuvendi duhet të kishte pranuar mocionin e kërkuesit dhe të dërgonte çështjen për shqyrtim në këtë Gjykatë në mënyrë që aspektet e pretenduara si papajtueshmëri të mandatit të deputetes Olta Xhaçka, t’i nënshtroheshin vlerësimit kushtetues, pasi gjatë gjykimit kushtetues, nuk u verifikua ndonjë pengesë juridiko-formale që mocioni të pengohej nga Kuvendi”.
Raporti për këtë çështje do t’i kalojë seancës së ditës së enjte. Përfaqësuesit e opozitës kërkuan që të kishte rekomandim të qartë për dërgimin e cështjes në Gjykatën Kushtetuese. “Ka vetëm një detyrë, që t’i rekomandojë seancës plenare, që të votojë dërgimin e mocionit të një të dhjetës së deputetëve për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Kjo do të duhet të jetë vendimmarrja”, deklaroi zoti Bardhi.
Por socialistët thanë se seancës do t’i kërkohet të shprehet për dërgimin në Gjykatë të rastit, duke lënë kështu të hapur, çdo mundësi votimi. “Në bazë të nenit 70 të kushtetutës, do t’i dërgohet raport seancës plenare, për të vendosur në lidhje me dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, nisur nga gjithë analiza e argumentave që ne bëmë këtu”, shpjegoi kryetarja e Komisionit të Ligjeve, socialistja Klotilda Bushka.
Çështja e mandatit të zonjës Xhacka u rikthye në vëmendje ditët e fundit, pasi Gjykata e Posaçme vuri nën sekuestro mbi 10 mijë metra katrorë sipërfaqe mbi të cilën bashkëshorti i zonjës Xhacka po ndërton një hotel në bregdetin e Dhërmiut. Trualli i blerë nga persona privatë, rezulton të jetë përfituar prej këtyre të fundit, përmes falsifikimit të dokumentave dhe se sipërfaqja ka qenë në pronësi të shtetit. Për rastin, pak javë më parë u arrestua dhe ish kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro. /Voa/