Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim poetin, prozatorin dhe përkthyesin lituanez, Tomas Venclova. Teksa e cilësoi atë si “Kadarenë” e Lituanisë, kryebashkiaku theksoi se zëra të tillë, të kthjellët, janë personifikim i ringjalljes dhe shpresës në kohët e sotme.

“Është një kënaqësi e veçantë të kemi në qytet Tomas Venclova, një nga poetët jo vetëm më të mëdhenj, por edhe dissident, ose Kadareja i Lituanisë. Më vjen shumë mirë që në këto kohë të trazuara, në këto kohë ku ka konflikte, ku epshet e perandorive të vjetra po ringjallen e po duken kudo në botë, sidomos me luftën që po ndodh në Evropë, kemi nevojë për zëra të kthjellët, për ata që luftuan, mbijetuan, fituan, për të na dhënë edhe shpresë që asnjë pushtim nuk zgjat gjithmonë; asnjë çmenduri diktatoriale nuk zgjat gjithmonë dhe asnjë mbyllje e izolim nuk zgjat gjithmonë”, u shpreh Veliaj.

Për kreun e Bashkisë, sot kryeqyteti është shembull i një transformimi rrënjësor dhe një qytet i hapur ndaj botës, në dallim nga periudha kur poeti lituanez e vizitoi për herë të parë. “Ka gjithmonë forca dhe energji pozitive për të hapur vende, për të prodhuar liri dhe se dikush që e njeh Shqipërinë shumë mirë dhe ka ardhur ndër vite, jam shumë i lumtur sot që e gjen Tiranën jo vetëm të madhe dhe të pastër, por edhe një vend që është hapur ndaj botës. Kur kujtoj që ju keni ardhur këtu në ato ditët e izolimit, sot kemi një qytet krejt tjetër. Nga vendi më i rrethuar, më i izoluar, kemi 10 milionë turistë e ndoshta më shumë këtë vit”, tha ai.

Nga ana e tij, poeti lituanez, Tomas Venclova u shpreh se ndryshimi i kryeqytetit shqiptar është i pabesueshëm dhe se tashmë gjen një qytet me zhvillim të jashtëzakonshëm. “Tirana nuk njihet. Kujtoj vizitën asokohe, në Tiranën e viteve ’90, ishte diçka komplet ndryshe. Këtë ndërtesë e kujtoj, kujtoj Xhaminë, sheshin “Skënderbej”, por duket që ka pasur një zhvillim të jashtëzakonshëm, që nga koha e atëhershme”, u shpreh Venclova

Tomas Venclova konsiderohet si një ndër poetët më të rëndësishëm të Europës Lindore të shekullit të 20-të. Ai është një ndër 5 themeluesit e Grupit Lituanez Helsinki. Për të gjithë të interesuarit, në ambientet e ish-kinema “Agimi” po shfaqet një dokumentar rreth 100 minuta, për jetën e Tomas Venclova, i cili do të evokojë nostalgjinë, por edhe frymëzimin për brezin e ri, që synon angazhimin në politikë e në jetën aktive si dhe për të përcjellë mesazhin që shpeshherë historia përsëritet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: