Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba e ka etiketuar presidentin rus Vladimir Putin një “kafshë politike” që mund të “ndiejë frikë”, ndërsa u kërkoi partnerëve të Kievit të besojnë në “fitoren” e vendit të tij.

“Ajo që na duhet është që partnerët tanë të besojnë me vendosmëri se fitorja e Ukrainës është e arritshme. Dhe së dyti, të mos kemi frikë ndaj Putinit, sepse Putini është një kafshë politike që mund të ndjejë frikën dhe kur e ndjen, ai bëhet më agresiv. ” tha Kuleba në një intervistë me prezantuesen e CNN, Christiane Amanpour.

Kuleba shtoi se Putini do të “detyrohet të tërhiqej” nëse do të shihte forcën e partnerëve të Ukrainës në mbështetjen e Kievit, veçanërisht pas paketës së fundit të ndihmës ushtarake të SHBA.

Kryediplomati i Ukrainës tha se ishte “mirë të kthehej Amerika” pasi projektligji për ndihmën ushtarake prej 60.8 miliardë dollarësh u nënshkrua në ligj nga Presidenti Joe Biden në fillim të kësaj jave.

“Është më mirë kur gjërat e mira ndodhin më vonë sesa të mos ndodhin fare. Por unë jam dakord që kjo paketë duhet të ishte kaluar shumë, shumë më herët dhe gjërat do të ndryshonin në shumë llogari,” vazhdoi Kuleba.

Ai tha gjithashtu se shoqëria ukrainase mori një nxitje morale për shkak të paketës së ndihmës, ndërsa përsëriti nevojën e Kievit për sisteme të mbrojtjes ajrore, si dhe municione artilerie dhe sisteme.

“Ajo që ne nuk shohim në këtë paketë është një bateri e Patriotëve, por ne vazhdojmë të punojmë me administratën amerikane për të mobilizuar më shumë bateri nga vendet e tjera në një perspektivë të shkurtër,” shtoi Kuleba.

Duke komentuar vërejtjet nga ligjvënësit amerikanë që kundërshtonin dërgimin e ndihmës së mëtejshme ushtarake në Kiev, Kuleba tha se Uashingtoni nuk është i vetëm në mbështetjen e Ukrainës dhe vendet evropiane po rrisin mbështetjen e tyre.

“Nëse të gjitha këto vende evropiane janë të bashkuar rreth qëllimit të fitores së Ukrainës, ndoshta kjo është për shkak se ata shohin se kjo fitore është e rëndësishme, është gjithashtu një çështje e sigurisë dhe prosperitetit të tyre.”

“Dhe cilido qoftë çmimi i mbështetjes së Ukrainës sot, çmimi i rregullimit të botës, nëse Rusia fiton në Ukrainë do të jetë shumë, shumë më i lartë,” tha ai.

 

 (A.A/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb