TIRANE

Me rastin e 80 vjetorit të çlirimit të vendit, Qendra Kombëtare e Librit ka mbajtur një konferencë me historianë ku u diskutuan tiparet e luftës.

“Hap siparin e një viti të mbushur me aktivitete kushtuar 80-vjetorit të çlirimit, një viti jubilar që do ketë vëmendje mbarëshqiptare për të shkuarën e historinë”, tha Alda Bardhyli nga Qendra e Librit.

Debatet mbi kolaboracionizmin, luftën civile, përplasjen mes partive të kohës, rolit të mbretit, dhe pasojat shkatërrimtare të partisë që mori pushtetin duke përdorur si shkas luftën vijojnë, por për historianin Paskal Milo, tashmë janë më të civilizuara.

“Për dhjetra vite është zhvilluar një debat që ende nuk është shterrur por që për fat të mirë, baruti i tij i luftës është lagur dhe janë krijuar rrethanat që te jetë një debat, më qytetar, më shkencore e më tolerant”.
Studiuesi Romeo Gurakuqi e sheh studimin e periudhës së luftës, të ndërlikuar dhe të vështirë për shkak të:
“Hendekut të madh mes historiografisë së ngurtësuar me shabllone njëdimensionale në Shqipëri me arritjet bashkëkohore ne perëndim, lidhur kjo me tipin e shkollës, që rezistoi me kokëfortësi antishkencore në tranzicion. Koha e luftës së dytë është koha e një thyerjeje në zhvillimin e shoqërisë shqiptare, kryer nga këto dy pushtime dhe nga uzurpimi komunist në Tiranë”, tha Gurakuqi.

Thembra e Akilit mbetet Balli Kombëtar dhe Legaliteti, dhe përplasja e tyre me komunistët. Ajo që kuptohet por nuk thuhet me zë të lartë, është se sistemi komunist i pasluftës e njollos vete luftën.
“Mithat Frashëri e konsideroi terrorizmin komunist si pjesë të terrorizmit ndërkombëtar, ndaj lufta nacionalçlirimtare gradualisht u tjetërsua nga luftë patriotike për çlirim në një luftë terroriste”, tha Butka.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb