Nëse qytetarët e thjeshtë, mes të cilëve edhe pensionistë e invalidë, rrezikojnë të penalizohen deri në burg kur nuk arrijnë të paguajnë energjinë e muajit, për zyrtarët e OSHEE, KESH e OST-së humbjet në miliona duket se nuk janë aspak shqetësim. Madje, si për ironi, miliona euro që mungojnë në arkat e tyre apo që humbin në tendera plot dritë-hije për fituesit, shënohen si “humbje në rrjet” apo “humbje teknike”, duke bërë që buxhetit të shtetit t’i mungojë një fond i konsiderueshëm të ardhurash. Paradoksi është se mungesa e këtyre parave vjen në një fushë që konsumohet gjithçka që prodhohet apo blihet. Pra, nuk kemi të bëjmë me asnjë stok, por me keq menaxhim dhe vjedhje.
Humbjet duken edhe më të pabesueshme kur përmes shifrave faktohet se në ketë fushë janë investuar miliona euro për të përmirësuar këtë sektor të rëndësishëm.
Çfarë ndodh me KESH, OSHEE dhe OST?
Tre institucionet kryesore të varësisë së Ministrisë së Energjisë, OSHEE, OST dhe KESH, prej kohësh janë përfshirë në një hartë humbjesh të mëdha në dëm të buxhetit të shtetit. Këto institucione që duhej të ishin burim të ardhurash janë kthyer në humbësit e mëdhenj të parave publike.
Nuk janë pak, por 1.1 miliardë euro buxhet nga të cilat, fati i 670 milionë eurove nuk dihet për shkak të bilanceve të padeklaruara nga OSHEE dhe KESH, vetëm për vitin 2021 – 2022.
Ndërkohë 257 milionë euro tendera janë dhënë vetëm për një apo dy kompani në garë, ku jo rastësisht njëra prej tyre gjithmonë përjashtohet nga tenderi, duke i hapur rrugën konkurruesit tjetër që mbetet i vetëm për oferta që fitohen zakonisht në 99% të vlerës së fondit limit.
Këto fonde të mëdha janë kthyer në një minierë ari për familjarë të ish-krerëve të policisë të përjashtuar nga procesi i Vettingut dhe investitorë strategjikë.
Pamundësimi i bursës shqiptare për të funksionuar, transaksionet në kundërshtim me ligjin si edhe sherret ndërinstitucionale për borxhet e pashlyera, janë një pjesë e ajsbergut të parave të shpërdoruara që “Vetting” sjell në këtë episod.
Sherri për borxhet 1.1 mld euro dëm në buxhet të shtetit
Borxhet mes KESH, OSHEE dhe OST, kanë krijuar prej kohësh një sherr ndërinstitucional, ku palët janë të ndarë në pretendimet e tyre. Në këtë përplasje, fillimisht OSHEE do të deklaronte se borxhi ishte 104 milionë euro ndërsa OST pretendonte se ishte 129 milion euro.
Diferenca prej 25 milionë eurosh ishte burimi i konfliktit për detyrimet që kompanitë kishin ndërmjet njëra-tjetrës. Sipas burimeve zyrtare “Vetting” zbulon se në 15 prill 2021 ndërmjet OSHEE dhe OST u firmos marrëveshja për pagesën e detyrimeve të prapambetura me vlerë 9,68 miliardë lekë ose 96 milionë euro.
Nga informacionet e Ministrisë së Financave, përplasja midis OST dhe OSHEE vazhdon pasi në projekt buxhetin 2024 nënvizohet se detyrimet janë nga 9 miliardë lekë deri në 18.3 miliardë lekë të OSHEE-së ndaj OST-së, e thënë ndryshe 90 deri në 183 milionë euro pasi kompanitë publike akoma nuk bien dakord me njëra-tjetrën.
Ngelet shqetësues fakti dhe krijohen dyshime për abuzime pasi bilancet nuk pasqyrohen dhe fondet i mungojnë buxhetit, ndërsa palët ende kundërshtojnë njëra -tjetrën, duke mos qenë transparente.