Vetëm për periudhën 2020-2021, nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike janë tenderuar 139 milionë euro me tendera të paracaktuar, ku në shumicën e procedurave të prokurimit marrin pjesë vetëm 1-2 kompani dhe vlera e ofertave fituese ka qenë 98%-99% e fondit limit. Nga tenderat e OSHEE, tashmë të fshira nga faqja zyrtare, rezulton se ka pjesëmarrje të dyshimta. Ajo që evidentohet nga “Vetting” është se një kompani, e quajtur “EN-EL” ka marrë pjesë në shumë gara, duke mos fituar asnjëherë, ndërsa oferta e fituesit, në të gjitha rastet kap vlerën e fondit limit nga 98 deri në 99%.

Kompania “EN – EL” dhe roli i saj i dyshimtë
EN-EL u themelua në 2012-ën nga Loreta Shkëmbi e Artan Kapexhiu me kapital 1000 euro, të cilët menjëherë morën administrimin dhe shfrytëzimin e godinave për dhënie me qira me vlerë 1.3 milionë euro. Ato i përkasin kompanisë “Aci Mobile”, ish ACI Enginering, e cila administrohej nga Petraq Shomo.

Deri në vitin 2021, Shkëmbi ka shërbyer në administratën publike si drejtore në drejtorinë e Sigurimeve Shoqërore ndërsa bashkëshorti i saj u shkarkua nga strukturat e policisë përmes procesit të vettingut për shkak se të dy kishin kryer disa transaksione të dyshimta duke mos arritur të justifikojnë pasurinë e tyre.

Më tej, në gusht të vitit pasardhës kompania u shit për vetëm 1000 euro ndaj shtetasit Arben Taipi, ndërkohë që menaxhonte asete me vlerë 1.3 milionë euro.

Taipi po ashtu është edhe një investitor strategjik. Jonian Heaven, e cila e ka gjurmën brenda Parkut Kombëtar të Butrintit, duke mos respektuar rëndësinë e veçantë të kësaj pasurie historike.

Në shkurt 2023 bashkëortakët, Taipi e Kapexhiu, administrator të kësaj kompanie emërojnë ekspertin e financave, Bujar Bendo si likujdues.

EN-EL nuk është një emër i panjohur për Bujar Bendon pasi ai ka qenë audituesi i pasqyrave financiare të kësaj kompanie, por jo vetëm. Edhe në OSHEE ka pasur të njëjtin rol edhe në vitin 2019.

Pra, audituesi i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë i njihte mirë pronarët e kompanisë që garonte në tendera duke u skualifikuar gjithmonë dhe fitues mbetej vetëm kompania konkurruese e cila i ka fituar tenderat në masën e 99% të fondit limit. Sipas të dhënave të administruara nga Open Data Albania, këto tendera janë kualifikuar me flamur të kuq duke ngritur dyshime për natyrën e mbajtjes së tenderave në OSHEE dhe pjesëmarrjen e EN-EL fiktivisht për të shmangur mungesën e konkurrencës. Bëhet fjalë për procedurat gjatë muajve shtator 2020-mars 2021 të cilat kapin vlerën e gati 143 milionë eurove.

Tendera në shkelje të ligjit

Dëmi financiar i shkaktuar nga dritat shpesh të munguara, thellohen edhe më shumë. Për vitin 2018 janë evidentuar shkelje me kontrata të shitblerjes së energjisë nga operatorët, të cilët kishin lidhur marrëveshje me OSHEE.

– Konkretisht, më 4 tetor 2018, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike hap procedurën e blerjes së energjisë elektrike për lotet 1 dhe 2 për sasinë 112 000 MegaWat Orë për periudhën 7-20 tetor 2018.

Njëra nga kompanitë që është shpallur fituese në lotin 1 me vlerë 1.5 milionë euro, GEN-I TIRANA, ka dështuar të furnizojë me energji elektrike OSHEE. Për të paktën 7 ditë në tetor 2018, kjo kompani nuk ka furnizuar Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike sipas kërkesave.

– Më 14 nëntor 2018, OSHEE hap tenderin e radhës për blerjen e energjisë elektrike për lotin 2 në sasi 75 000 Mega Wat-Orë.

Disa nga kompanitë fituese, EFT AG dhe GEN-I TIRANA në lotin me vlerë 7 milionë euro shkelnin përsëri kushtet e kontratës, duke mos furnizuar në kohë energjinë elektrike.

– Për muajin nëntor 2018 kompania EFT AG për ditë të ndryshme të muajit nuk ka furnizuar me energji në përputhje me kushtet e sipërpërmendura të kontratës.

Për vitin 2019 është konstatuar shkelje e kontratave të shitblerjes së energjisë nga kompanitë që kanë furnizuar me energji Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

– Më 14 janar 2019, OSHEE hap tenderin për blerjen e energjisë nëpërmjet lotit 1 dhe lotit 2 për periudhën 22 deri me 31 mars 2019, për sasinë totale 73 000 Mega Ëat Orë me vlerë totale 4.4 milionë euro.

Dy nga kompanitë EFT AG dhe GEN-I TIRANA kanë qenë pjesëmarrës dhe fitues në lotet 1 dhe 2, për sasi të ndryshme energjie.

Nga kërkimet e “Vetting” rezulton se GEN-I TIRANA dhe EFT-AG nuk kanë respektuar kushtet e kontratës.

Emergjencë energjetike pa arsye?

Në tetor 2021 u shpall situata e Emergjencës Energjetike për shkak të mungesës së prodhimit të energjisë kryesisht prej mungesës së reshjeve. Kjo situatë qëndroi aktive deri me 31 dhjetor të vitit 2023 përmes dy vendimeve të nënshkruara nga zv.kryeministrja Belinda Balluku, edhe pse ky vit ka qenë me prodhim pozitiv.

Për 6 mujorin e parë të 2023, KESH ka arritur të prodhojë, duke mbuluar të gjitha nevojat e vendit.

Prodhimi i rregullt i energjisë bie ndesh me vendimin e 26 korrikut të vitit të shkuar nga zëvendës kryeministrja Balluku për zgjatjen e emergjencës së energjisë kur realisht nuk ka pasur krizë.

Sipas ekspertëve, lufta Ukrainë-Rusi nuk qëndron si motiv për zgjatjen e emergjencës energjitike pasi nuk cënohej siguria kombëtare e Shqipërisë në asnjë rrethanë.

“Në vitin 2023 ishte e pakuptimtë zgjatja e emergjencës pasi Shqipëria prapë rezultoi një vend neto eksportues, çmimi në treg ra, arriti në vlerën 107 euro/MWH. Pra, nuk kishte më kushte për të patur një emergjencë”, deklaroi eksperti Gradeci.

Kjo shkelje nga Balluku është në kundërshtim me Vendimin e Këshillit të Ministrave dhe në të përfshihet edhe Ergys Verdho si administrator. Kjo pasi të dhënat e siguruara nga raporti i Entit Rregullator të Energjisë zbulojnë se KESH ka prodhuar dhe ka shitur energji, pra është net eksportues.

Ere- pala mbi palët
Nga ana tjetër, Enti Rregullator i Energjisë, si palë mbi palët, kërkon llogari nga trekëndëshi OSHEE – OST – KESH për deklarimet e tyre, të cilat me sa duket nuk janë të plota. Në raportet e ERE ka mangësi në dokumentim pasi nuk ka fakte konkrete nga ana e institucioneve kryesore, duke krijuar mungesë transparence për informacione zyrtare, të detyrueshme për publikim.

Sipas ekspert i energjisë, Klodian Gradeci, te raporti i ERE-s nuk gjenden të dhëna për energjinë rinovues.

“Është detyrë e OSHEE t’i raportojë në ERE sepse të gjitha këto kapacitete të instaluara janë të lidhura në rrjetin e OSHEE-së dhe nuk raportohen ndërkohë, këto zënë një volum të rëndësishëm, në konsumin e vet prodhuesve, të cilët I kanë vetinvestuar me paratë e tyre, këto kapacitet dhe përfitojnë nga energjia e përfituar nga vet ata. Por nëse këto do të raportoheshin, atëherë do të duhet të rishikohej edhe bilanci i OSHEE-së, edhe raporti i OSHEE-së, do të duhet të rishikohej edhe niveli i humbjeve teknike të OSHEE-së sepse këto kapacitete instaluese janë direkte në pikën e konsumit dhe pikën e ngarkesës, që do të thotë dhe humbjet në këtë rast janë të papërfillshme, janë gati 0”, tha inxh. Gradeci për “Vetting”.

Eksperti Gradeci shtoi se nëse këto do të raportoheshin, do të zbulohej se ka disa boshllëqe në raportet që OSHEE dërgon.

Në këto kushte rezulton se Enti Rregullator i Energjisë, nuk arrin të bëjë pasqyrime të sakta dhe profesionale jo vetëm për qytetarët, por edhe për parlamentin, siç e ka edhe detyrim ligjor. Mos përmbushja e kësaj detyre nga ERE duket se është edhe një arsye më tepër se përse ka një mungesë kaq të lartë të transparencës me fondet që ka në zotërim trekëndëshi OSHEE-OST-KESH.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: