Partia Demokratike zyrtare zgjedh sot kryetarin e ri të degës së Elbasanit në Kuvendin që do të zhvillohet në Teatrin “Skampa”.
Burime për BalkanWeb bëjnë të ditur se kreu në detyrë, Eugen Isaj nuk ka rikandiduar për një mandat tjetër në krye të demokratëve lokalë.
Gjithashtu, mësohet se ish-sekretari i degës, Zamir Muzhaqi është tërhequr nga gara disa ditë më parë edhe pse kandidatura e tij kishte marrë miratimin e kryesisë së PD. Motivet e dorëheqjes nuk bëhen të ditura.
Mes kandidatëve është edhe biznesmeni Naim Meta, kryetar grupseksioni në Bradashesh dhe pjesë e strukturave të demokratëve prej vitesh. Madje në grupseksionin e drejtuar prej tij në 14 Maj, PD zyrtare ka dalë forcë e parë në radhët e partive opozitare, duke lënë pas edhe Rithemelimin. Kandidati tjetër në garë është Bledar Xhindi, kryetar i Njësisë 2 “Visarjon Xhuvani”.
Në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, PD e Elbasanit e drejtuar nga Eugen Isaj mori numrin më të lartë të votave në rang kombëtar dhe siguroi 7 anëtarë në Këshillin Bashkiak.
Isaj, megjithëse nuk kandidon, ka qenë në Kuvendin zgjedhor dhe ka votuar për zgjedhjet në degën e Elbasanit.
Zgjedhjet e PD në Elbasan
Të zgjedhurit do të votohen nga delegatët që janë anëtarë të KK, kryetarët e njësive, koordinatorët siç e përmban Statuti i PDSH. Dy kandidatët në garë sipas njoftimit zyrtar për Kryetar Dege janë Naim Meta dhe Bledar Xhindi. Naim Meta sipas këtij njoftimi është nënkryetar i Partisë dhe Kryetar i Njësisë Administrative Bradashesh. Sipas njoftimit ai është anëtar i Partisë Demokratike që në vitet “90. Ndërsa Bledar Xhindi, është kryetar i Njësisë 2 “Visarjon Xhuvani”. Ai është diplomuar në degën Histori- Gjeografi dhe Master Shkencor “Studime historike” dhe cilësohet vlerë në Partinë Demokratike.
(BalkanWeb)