Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken i përsëriti ministrit izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant kundërshtimin e SHBA ndaj një ofensive tokësore ushtarake në Rafah.

Në një bisedë telefonike, Blinken “theksoi nevojën urgjente për të mbrojtur civilët dhe punonjësit humanitarë në Gaza”. Siç thuhet në një shënim nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Blinken i kërkoi gjithashtu Gallantit të “sigurojë që ndihma të mund të hyjë në Gaza dhe të inkurajojë shpërndarjen e saj brenda Gazës, ndërsa Izraeli synon objektivat e Hamasit”.

Blinken tha gjithashtu se ndërsa Izraeli shkon më thellë në jug të Rafah, ku sipas tij, Hamasi ka katër batalione dhe ku janë grumbulluar më shumë se 1 milion civilë, një operacion ushtarak mund të “ketë njëfarë suksesi fillestar”, por rrezikon “dëm të tmerrshëm” për popullatën.

Blinken gjithashtu “shprehte angazhimin e vendosur të Shteteve të Bashkuara për sigurinë e Izraelit dhe qëllimin e përbashkët për të mposhtur Hamasin”, thuhet në shënim.

Kujtojmë se tensionet nisën më 7 tetor pas një sulmi kundër Izraelit nga Hamasi që vrau 1200 njerëz, kryesisht civilë, ndërsa rreth 250 persona u morën peng.

Ofensiva e Izraelit ka vrarë më shumë se 35,000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb