Zbardhen detaje të reja nga vrasja e policit të “Shqiponjave”, Novruz Cenalia, 28 vjeç, mesditën e sotme në fshatin Baltëz të Fierit.

Gazetarja Klodiana Lala përcolli për BalkanWeb detaje lidhur me rrethanat e krimit të rëndë.

Ajo tha se babai i Novruz Cenalisë rezulton i përfshirë në një ngjarje kriminale të ndodhur në vitin 2005.

Asllan Cenalia, gjithashtu punonjës i Policisë së Shtetit, ka vrarë fqinjin e tij Sali Harhulla. Ngjarja ka ndodhur pas një konflikti mes të dyve, ku viktima ka qëlluar rreth 30 herë në drejtim të Cenalisë, efektiv policie edhe atëherë. Asllan Cenalia i është përgjigjur të shtënave me armën e shërbimit, për vetëmbrojtje, duke e lënë të vdekur Sali Arhullën.

Asllan Cenalia ka marrë pafajësi për vrasjen dhe ka vazhduar punën në Policinë e Shtetit.

Mbetet e paqartë nëse vrasja e Novruz Cenalisë ka ndodhur për arsye gjakmarrje apo nga një konflikt i momentit pas një përplasje verbale mes autorit dhe viktimës, siç pretendon Policia e Fierit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb