Emisioni investigativ Vetting në News24

“Vetting” kërkoi të dhëna të tjera nga Doganat për të kuptuar sasitë totale të vajërave vegjetale që janë importuar në Shqipëri. Bie në sy fakti se sasia e vajit të lulediellit të importuar ka qenë e ulët në vitet 2020, 2021 dhe 2022. Megjithatë zbulohet se pas vitit 2020, sasitë e mëdha të vajit të gjembaçit indian janë zëvendësuar nga vaji i panjohur me kod specifik “15121990”. Është ky vaj, i cili ka mbuluar nevojat për import nga viti 2021 deri në gusht 2023 sipas korrespondencës me Doganat.

Por çfarë deklarojnë Doganat për këtë vaj?

Sipas Doganave, janë importuar rreth 65 milionë litra vaj vegjetal, për të cilin informacioni është i kufizuar. Nga informacionet zyrtare, vlera e këtij vaji arrin shifrën 10.7 miliardë lekë ose rreth 107 milionë euro.

“Ka produkte, që kanë një kod specifik, të cilat kanë një kod që është unik për produktin, por ka nga ata që kur ka kode të shtuara apo të përgjithësuara. Çdo lloj produkti ka një kod, kudo që tregtohet. Produkte pa kode nuk ka!”, deklaroi për “Vetting”, eksperti ushqimor Kapllan Sulaj.

Nga të dhënat e siguruara nga Nomenklatura e Mallrave, që jep informacione për kodet specifike sipas llojit të produktit, për këtë kod shkruhet “të tjera”, duke ngritur shumë pikëpyetje për këtë produkt.

Sipas Doganave, me këtë emërtim gjatë periudhës 2021-2023 është importuar produkti me emërtesën “vaj luledielli”, por tabela e Doganave flet për një sasi të vogël, e cila është e papërfillshme dhe e paqartë.

“Vetting” kontaktoi Autoritetin Kombëtar të Ushqimit për të marrë informacione për produktin me këtë kod, por AKU-ja refuzoi nën pretekstin se nuk ka kodin doganor për produktet, por emërtimet.

Nga informacionet e siguruara nga nomenklatura doganore e Bashkimit Europian, ky kod ka patur informacione shtesë përsa i përket natyrës së produktit. Sipas këtyre informacioneve, ky kod me emërtimin parësor “të tjera”, përfshin vaj luledielli dhe vaj gjembaçi të rafinuar. Pra, duke iu referuar nomenklaturës të Bashkimit Europian, ky vaj mund të ketë në përbërje vaj luledielli dhe vaj gjembaçi. Por ku bazohemi që ky vaj mund të jetë vaj gjembaçi?

Vetë drejtuesi i Qendrës “Alert”, konfirmoi se para dy vjetësh ka denoncuar prezencën e vajit të gjembaçit indian në Shqipëri. Në lajmin e publikuar në media, në dokumentin e publikuar për vitin 2022 vaji i gjembaçit referohej me kod 15121990, pra vajit që mbulon të gjithë furnizimin me vaj për vitin 2021-2023. Dekani i Fakultetit të Bioteknologjisë në Kamëz, Pr. Dr. Kapllan Sulaj deklaroi se UBT-ja po përgatit laboratorin e parë të certifikuar në Shqipëri për analizat e vajrave, i cili është një domosdoshmëri me situatën aktuale të sigurisë ushqimore.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

“Gjetja e falsifikimeve të vajit është një moment jo i thjeshtë sepse kërkon pajisje dhe kërkon njerëz të kualifikuar, por ka ardhur koha që ne duhet të marrim masa të tilla dhe duhet që të ngremë kapacitete të tilla analitike për t’i dhënë fund ose për të frenuar të gjithë falsifikimet dhe manipulimet që mund të bëhet me lloje të ndryshme, me parti të ndryshme me vajra, të cilat mund të vijnë të hyjnë në vendin tonë dhe mund të përzihen në receptura të ndryshme”, tha eksperti ushqimor Sulaj.

Ligji nuk e ndalon përzierjen e vajrave, por mungesa e evidentimit të vajit në etiketat e produktit jo vetëm që është shkelje, por cënon seriozisht jetën e njeriut.

“Çdo njeri duhet të dijë çfarë konsumon, çfarë ha. Prodhuesi e ka detyrim ligjor të japë informacion ligjor lidhur me përmbajtjen, tregtuesi, importuesi e ka detyrim ligjor lidhur me përmbajtjen e produktit. Por mjafton të përmendim rastin këtu që në popullata, një përqindje edhe pse të ulët kemi individë të cilët janë alergjikë n.q.s konsumojnë produkte të caktuara. Dhe nqs në etiketë nuk është e specifikuar, mban këtë substancë, ai personi nëse e konsumon, jeta e tij është në rrezik”, deklaroi për “Vetting”, Prof. Dritan Topi.

AKU-ja nuk e di se çfarë vaji ka hyrë në Shqipëri me këtë kod, ndërsa Doganat japin disa informacione, të cilat në vetvete nuk specifikojnë saktësisht llojin e vajit. Pra, shqiptarët nuk e dinë se çfarë vaji po konsumojnë.

*
Sipas progres raportit të vitit 2023, Shqipëria ka ende probleme në sektorin e sigurisë ushqimore. Në raport theksohet se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit duhet plotësojë nevojat për staf, të cilat evidentojnë në kohë rreziqet ushqimore dhe sigurojnë që të dhënat kombëtare të jenë transparente.

Në fakt, nuk janë vetëm raportet e Komisionit Europian, por edhe deklaratat ekspertëve ushqimorë ato që zbulojnë problemet e AKU-së.

“Ajo që vihet re është fakti që ato që janë të shkruara nuk zbatohen 100% ashtu siç janë shkruar. Akoma kemi mangësi, jo vetëm në plotësimin e spektrit ligjor të tyre, por edhe zbatimit”, tha eksperti ushqimor Kapllan Sulaj.

Edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit vazhdimisht ka evidentuar problematika të ndryshme, që lidhen me sigurinë ushqimore.

Në raportin e fundit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është audituar nga KLSH-ja për vitin 2022 dhe 2023. Sipas qendrës “Alert”, raporti paraprak i Kontrollit të Lartë të Shtetit i është dërguar AKU-së në tetor 2023 dhe mbi gjetjet e tij, çdo sektor duhet të bënte observacionet e tij për rastet e konstatimit të shkeljeve, të cilat në raportin paraprak zbulojnë situatën me abuzimet e sigurisë ushqimore.

Nga rekomandimet e vendosura për AKU, zbulohet se ka patur problematika me analizat që merren nga produkte të ndryshme.

Audituesi deklarojnë se në rastet kur analiza mund të rezultojë me ngarkesë bakteriale apo mikrobiologjike, në sistem krijohet një autorizim i ri duke humbur kështu gjurmën me rekordin e inspektimit që ndodhet në sistem regjistruar nga inspektorët të cilët kanë kërkuar kryerjen e një analize laboratorike.

“Mbyllja e rekordeve kryhet në të gjitha rastet, nisur nga fakti se përgjigjet laboratorike nuk kthehen brenda afateve, dhe masat e marra në vazhdimësi të këtij inspektimi të kryer janë në kundërshtim me aktet ligjore, duke detyruar kështu krijimin e një tjetër inspektimi, por këtë herë bazuar në rezultatin e mostrës. Vonesa e përgjigjes së laboratorëve vë në rrezik konsumatorët, por njëkohësisht arritjen e objektivave të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit”, shkruhet në raportin e KLSH-së për AKU.

Në raport evidentohen të njëjta të dhëna për të gjithë inspektorët, ku shumica nuk kanë gjuhë të huaj si aftësi dhe kodet e identifikimit në sistem janë shumë thjeshta për thyer nga jashtë.

Në sistemin e AKU-së zbulohet se persona që janë larguar nga sistemi rezultojnë aktiv dhe rasti më flagrant është kur profili i punonjësit nuk përputhet me pozicionin e punës.

Sipas Drejtorit Ekzekutiv nga Qendra Alert, Granit Sokolaj, problemet që ka AKU-ja lidhen me mënyrën se si është vepruar nga politika ndaj këtij
institucioni.

“Është për të ardhur keq që një institucion, i një rëndësie kaq të madhe për shëndetin e publikut dhe të konsumatorëve është akoma një ent publik që shërben si tortë politike për të bërë qoka të atyre që kanë shërbyer më mirë. Qoftë për të ndarë partitë, apo për t’iu dhuruar postet”, tha Sokolaj për “Vetting”.

Ai shtoi se në 2020, AKU-ja doli nga shërbimi civil, duke funksionuar me kod pune. Drejtuesi i Qendrës “Alert” thotë se kjo e ka bërë më të ekspozuar institucionin ndaj lëvizjeve politike, që më pas kanë pasoja në cilësinë e ushqimeve që konsumojnë shqiptarët.

Por çfarë thonë raportet ndërkombëtare për sigurinë ushqimore në Shqipëri?

Sipas raportit të publikuar nga Organizata Botërore e Ushqimit (FAO), çdo njeriu që jeton në Shqipëri i duhet të shpenzojë 440 lekë në ditë ose 4.4 dollarë vetëm për ushqim për të plotësuar nevojat e një diete normale.

Vlera e kësaj kostoje, e cila është për vitin 2021, rezulton me vlerën më të lartë në Europë dhe në Rajon.

Sipas dietologëve, mbas viteve 2010, studime të cilat kanë qenë gati 30-vjeçare, të iniciuara nga kompani të ndryshme farmaceutike, kanë zbuluar se epigjenetika është një sektor që ndryshon edhe gjenet tona.

“Ne lindim me një material gjenetik, e cila thotë “Po, ti ke predispozitë për kancer, ti jo nuk ke!”. Kur t’i ndikon te ushqyerja jote, kjo është epigjenetika. Mënyra se si ndikojmë ne te gjenet tona përmes ushqyerjes, ke gjasa që këto gjene që mund të jenë pro kancerogjene, t’i lësh gjithë jetën në fjetje, pra mos t’i aktivizosh, ose duke u ushqyer keq, ti ke gjasa t’i aktivizosh shumë herë, prandaj sot është rikthyer e gjithë vëmendja e mjekësisë, e industrisë farmaceutike, e industrisë ushqimore drejt një ushqyerje sa më të shëndetshme”, tha për “Vetting”, dietologia Matina Çobo.

Në Rajon, pas Shqipërisë kostot më të larta dietës ditore për ushqim i ka Serbia me 4.3 USD për person në ditë, e ndjekur nga Bosnja me 4.1 USD në ditë, Mali i Zi me 3.7 USD në ditë dhe Maqedonia e Veriut me 3.6 USD në ditë.

Në përgjithësi, kostot e larta të dietës ushqimore i kanë vende e varfra dhe vendet në zhvillim.

Studimet kanë treguar se cilësia e vajrave të gatimit ka impakt të drejtpërdrejtë te sëmundjet e zemrës ose qarkullimit të gjakut.

Vetëm duke analizuar të dhënat nga INSTAT për shkaqet e vdekjeve zbulohet se kemi rritje të numrit të vdekjeve nga sëmundjet që lidhen me qarkullimin e gjakut. Konkretisht, nga viti 2018 deri në vitin 2021 është rritur me rreth 30 % më shumë numri i vdekjeve ose 168 më shumë vdekje në vit nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut.

Sipas raportit të Organizatës Botërore të Ushqimit (FAO), rreth 16% e popullsisë në Shqipëri ose 400 mijë banorë nuk kanë mundësi të përballojnë kostot e një diete të shëndetshme.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb