Anëtarja e PD në Komisionin Hetimor për sistemin TIMS, Lindita Metaliaj në një intervistë me Skype në News 24 tha se socialistët nuk duan hetime për ndërhyrjet në këtë sistem.
Metaliaj theksoi se ndërhyrja në sistemin TIMS është një skandal i madh për një vend si Shqipëria, anëtar i NATO-s dhe aspirant për të qenë pjesë e BE-së. Sipas saj, socialistët me qëllim po pengojnë hetimin për ndërhyrjet në TIMS, pasi nuk duan që për këtë çështje të merret në pyetje ministri Taulant Balla dhe dëshmitarët e tjerë.
Lindita Metaliaj, anëtare e PD në Komisionin Hetimor për sistemin TIMS: U deshën disa muaj deri në ngritjen e Komisinit Hetimor për sistemin TIMS, ku kryetari është Ervin Salianji. Kemi arritur edhe të miratojmë një plan hetimor dhe në këtë plan parashikohet marrja në pyetje e disa personave. I pari dëshmitar është ministri Taulant Balla.
Ne kërkuam të dëshmojë Balla dhe të përgjigjet për pyetjet tona dhe nëse ne bëjmë pyetje, që mund ta prekin sekretin hetimor, aty të mos flitej në publik. Shkelja nis që nga emërimi i Muçës. Ai u emërua nga ministri Çuçi. Ndërsa Balla ka qenë ministër kur ka ndodhur ndërhyrja në sistemin TIMS. Rrumbullaku e ka emëruar Muçën, duke i dhënë edhe titull. Muça është emëruar pa pasur certifikatë sigurie, pa kritere. Ndërhyrja në sistemin TIMS është rast skandaloz. Socialistët nuk duan të zbardhin çështjen e ndërhyrjes në sistemin TIMS sepse nuk donin të pyetej ministri dhe të tjerët. Jo çdo pyetje e jona duhet të gjykohet. Ne jemi të vendosur që hetimit t’i shkojmë deri në fund. Duhet të dimë se përse u ndërhy në sistemin TIMS, a donin t’i shërbenin bandave apo cili ishte qëllimi i tyre. Duhet të hetohet thellësisht, që skandale të tjera të tilla mos të ndodhin më.
(Balkanweb)