Eugen Beçi, ish-kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, nga studio e emisionit “Open” tha se SPAK e ka lejuar vetë publikimin e dosjes mbi operacionin e fundit, duke reklamuar në këtë mënyrë punën dhe veprimtarinë e saj.

Beçi theksoi se procedurialisht kanë ardhur dy CD nga Franca, që janë transkriptuar, këto materiale të reja, i janë bashkangjitur dosjesh së vjetër dhe më pas janë nxjerrë masat e sigurisë.

“I gjithë ky proces duhej të bëhej në sekret të plotë. Çfarë ndodhi? Sot janë larguar të gjithë, pasi ka kaq kohë që flitet për SKY dhe Encrochat dhe kjo na solli këtë rezultat të sotëm.

Në rast se procedimet do të hetoheshin të ndara, pra pa i bashkuar 4 akuza në një dosje, do të kishim një hetim më të shpejtë.

Dosjen e inceneratorëve SPAK e ndau, ndërsa në rastin e fundit i bashkuan dosjet”, tha Beçi.

Ai u shpreh se duhet të ketë një hetim të plotë, por shtoi se duke bashkuar dosjet na rezulton se është bashkuar në një vend edhe autori edhe viktima.

“Kemi në dosje ku një person na del viktimë e skenarëve për vrasje dhe pastaj na del si organizator për të kryer vrasje.

Jo vetëm nuk ka surpriza në emrat që dosjen e fundit, por 99% e tyre janë gjykuar dhe dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda, dhe më pas janë liruar nga burgu, përmes procedurave.

Sot që politikës nuk i duhen më këta emra, dhe na erdhën transkriptet, kemi aksionin për kapjen e tyre”, tha Beçi.

Ai theksoi se është një dosje ulëritëse për lidhjet e politikës me krimin.

“Kemi persona që porosisin vrasje, sikur po porosisin pilaf, janë pjesë e politikës”, tha Beçi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: