Zëvendës Ndihmës Sekretari i shtetit amerikan Gabriel Escobar në një intervistë ka thënë ndër të tjera se lideri i opozitës në Shqipëri nuk mund të jetë dikush që të kujton kohët e këqija në vitet 1990.

Kryetarja e Komisionit Hetimor për Shëndetësinë Albana Vokshi, e ftuar në rubrikën Opinion në News24  tha se nuk e kupton se çfarë ka dashur të thotë Escobar me këtë shprehi. Sipas saj, vitet 1990 kryesisht ishin kohë të arta për vendin, që doli nga regjimi komunist.

Nuk e kuptoj deklaratën e zotit Escobar kur thotë “ditë të këqija në vitet 1990”, kur më 1990 ka pasur ngjarje të ndritura për Shqipërinë. Kujt i referohet sepse kanë qenë ditë të lavdishme për vendin. Nëse rrëzon komunizmin nuk janë ditë të mira për Escobarin, sepse këtë nuk e kuptoj. Kjo sepse për shqiptarët rrëzimi i diktaturës komuniste solli lirinë e demokracinë. Opozita e ka një lider dhe lideri i saj është në një masë sigurie, ku mbahet aty pa akuzë”, tha Vokshi.

Më tej, Vokshi ka dhënë edhe detaje se kush do të jenë personat e parë që do të pyeten në cilësinë e dëshmitarëve në Komisionin Hetimor për Shëndetësinë. Ajo tha se të parët që do të thirren do të jenë audituesit e KLSH, ndërsa më pas edhe pjesëtarët e Nismës Thurje.

“Të parët që do të thirren për t’u pyetur do të thirren audituesit e KLSH. Këto janë persona që kanë qenë pjesë e Auditit. Pastaj do të thirren pjesëtarët e Nismës Thurje, që kanë nisur kallëzimin, pavarësisht se ka qenë PD që ka bërë kallëzime, por në SPAK e ka depozituar kallëzimin Nisma Thurje. Nuk duhet që të implementohen më koncesione kriminale si Chek Up dhe Sterilizimi, që është dëm ekonomik shumë i lartë dhe ka sjellë edhe probleme të tjera. Interesi madhor i yni duhet të jetë shëndeti i qytetarëve”, u shpreh Vokshi.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb