Emisioni investigativ Vetting në News24
Gjatë verifikimit të dokumentacionit, Prokuroria e Lushnjes, konstatoi dy herë që aktet e shitblerjes dhe të privatizimit ishin falsifikuar. Këtë e ka pohuar vetë asokohe, kreu i Agjencisë Kombëtare të Privatizimit, Faslli Turku.
Ai pohon se kontrata është falsifikuar dhe sipërfaqja e truallit nga 341 metra katror është bërë 686 metra katror. Korrigjimi është bërë pas privatizimit dhe është korrigjuar me shkrim dore.
“Prokuroria doli me vendimin e pushoi çështjen për efekt parashkrimi, por asgjësoi dokumentet, që do të thotë falsifikatorët janë të dënuar”, vijon Shefa.
Me vendim të datës 16 dhjetor 1993, Gjykata e Lushnjes vendosi prishjen e kontratës së shitblerjes ndërmjet Seksionit të Financës të bashkisë Lushnje dhe ish-punonjësit të kinemasë Tabaku. Vendimi ky që mori formën e prerë më 29 dhjetor 1993.
Në kundërshtim me vendimin e formës prerë të dhënë nga gjykatësi në 1993, në vitin 2007, bashkia Lushnje i dha leje Ferit Tabakut që ish-kinemaja të shembej dhe mbi truallin e saj të ndërtohej një pallat 12 katësh.
Një vit, më vonë Ministria e Ekonomisë rinxjerr në ankand ish-kinemanë. Mesa duket Ministria nuk ka pasur dijeni për planet e bashkisë, por secili institucion po vepronte pa ditur çfarë bëhej jashtë mureve të saj.
Pra, jemi në kushtet kur pronari i truallit me vendim të formës së prerë, të dhënë nga gjykata për ish kinemanë është Sefedin Shefa dhe njëkohësisht me vendim të pa ekzekutuar. Në të njëjtën kohë, është një pronar i vete deklaruar i cili kishte marrë lejen e ndërtimit dhe një procedurë ankandi që nuk u realizua në asnjë moment.
Sefedin Shefa tregon se si në atë kohë u përplas dyerve të Ministrisë së Ekonomisë, ku i thanë të bënte gati dosjen për ta blerë. Ndërkohë që kjo Ministri, në atë kohë u informua se ishte shitur jo vetëm ndërtesa e ish kinemasë, por edhe trualli që me dokumente deri në vitin 1993 ishte e Sabri Shefes. Pavarësisht procedurave ligjore, Shefa tregon se cili ishte qëndrimi i Ministrisë së Financave.
Por çfarë ndodhi më pas?
Ankandi i shpallur nga Ministria e Financave nuk u realizua. Sipas shtetasit Ferit Tabaku, na rezulton se ankandi qenka zhvilluar në vitin 1993.
Pyetja që ngrihet është: Si ka mundësi që një ankand, i cili është zhvilluar shumë vite më parë, nga i njëjti institucion shpallet në vitin 2008 nga Ministria e Financave?
Në këto kushte të interesuarit mësojnë se përfituesi i paligjshëm, Ferit Tabaku në bashkëpunim ish-drejtorin e Asgjensisë Kombëtare të Privatizimit, Dega Lushnje, Faslli Turku, kishin falsifikuar dokumentet e privatizimit. Sipas dokumenteve që “Vetting” ka siguruar, ata kishin falsifikuar Kontratën e shitjes, autorizimin e shitjes së objektit dhe gentplanin e truallit në objekt. Nga 433 metra katrorë që doli në shitje në ankand si ish-kinemaja, rezultojnë me rritje të sipërfaqes duke marrë edhe pjesë të tjera të pronës së familjes Shefa duke shkuar totali i metrave katror të “grabitur” në 686.
Kjo detyroi Sefedinin t’i drejtohej Prokurorisë së Lushnjës, në Prill 2010, ku denoncoi faktin e falsifikimit të dokumenteve nga Ferit Tabaku dhe Faslli Turku. Pas hetimeve të kryera nga prokuroria Lushnje, për Tabakun dhe Turkun u provua se ata ishin autorët e falsifikimit të dokumenteve. Gjatë hetimeve rezultoi se dokumentet që u falsifikuan nga ana e punonjësit të Agjencisë Kombëtare të Privatizimit, Fazlli Turku, ishin përdorur më pas nga ana e Ferit Tabakut, për privatizimin e ish-kinemasë në Lushnje.
Pavarësisht se prokuroria Lushnje pushoi çështjen penale, sanksionet në lidhje me dokumentacionin e falsifikuar dhe fatin e tyre nuk ndryshoi asgjë me kushtet e një vendim gjyqësor të formës prerë, që deklaron fajtorin autorin e tyre.
Vlen të theksohet në këtë pjesë, ngërçi që u krijua dhe vendimi i pushimit në ngarkim të falsifikatoreve të këtyre dokumenteve. Kjo ndodhi për faktin se, pavarësisht ata nuk i kaluan dhe nuk u dënuan nga gjykata për shkak të parashkrimeve të ndjekjes penale, duke qenë se kishte kaluar një kohë e gjatë, ky vendim është i njëjtë me vendimin ligjor të fajësisë dhe duhej të zbatohej edhe përse i përket pasojave në lidhje me dokumentet që rezultuan të falsifikuara.
Këtë fakt e ka pranuar edhe gjykata e cila mbi ankimin e palëve për vendimin e pushimit e ka përligjur, atë si një vendim penal të formës prerë, kur ka lenë në fuqi vendimin e pushimit dhe ka kërkuar si pjesë të këtij vendimi fshirjen e dokumenteve të falsifikuara. Sikurse rezulton vendimi i gjykatës së Apelit Nr. 131 datë 23 dhjetor 2019.
Më tej Sefedin Shefa shprehet: “Mbas pushimit hapëm gjyq në gjykatën e shkallës parë Lushnje, për asgjësimin e këtyre dokumentave të falsfikuara”.
Gjykata e Lushnjes e më pas ajo e Apelit Vlorë me vendimin 131 të datës 23 Dhjetor të 2010, mori vendimin për asgjësimin e dokumenteve, autorizim shitje, kontratën e shitjes dhe gentplan. Pasi këto dokumente edhe pse ishte marrë vendimi nga prokuroria më parë nuk ishin asgjësuar dhe ndodheshin në institucionet shterore.
Me marrjen të formës prerë të vendimit gjyqësor me datën 14 Janar 2020, në zbatim të kritereve të kodit të procedurës penale Nr. 462 vijues, ai vu në ekzekutim nga prokurori i Lushnjës, Artan Azbi. Sipas ekspertëve në kundërshtim me të gjitha procedurat ligjore, pa pasur asnjë shkak dhe i kundërshtuar nga një person i palegjitimuar është bërë objekt i ankimit në gjykatë, urdhri i ekzekutimit të vendimit të formës së prerë.
Procedura e ndjekur në rastin konkret, duke pasur parasysh edhe objektin e ekzekutimit, është në shkelje të hapur të ligjit dhe tregon inferioritetin e organeve të drejtësisë, prokurorisë dhe gjykatës, të cilët, si dhe në rastet e tjera, janë munduar t’i bëjnë qejfin falsifikatorit Ferit Tabaku duke e pajisur me vendime ekstra procedurale. Kjo zgjidhje, në kundërshtim me ligjin, vetëm për t’i dhënë atij kohë dhe hapësirë, hedh dyshime mbi zellin e organeve të drejtësisë në Lushnje për të lënë të lirë personat që shkelin ligjin apo që përfitojnë prona me dokumente të falsifikuara.
“Ferit Tabaku, kërkoi që ekzekutimi i vendimit për asgjësimin e dokumenteve të falsifikuara që u bë nga ana e prokurorit të Lushnjës Artan Azbi të pezullohej”, pohon Sefen Shefa.
Proceduara e ndjekur në këtë rast, nga Gjykata Lushnje, u hodh poshtë nga Gjykata e Apelit Vlorë. Kjo Gjykatë, me vendim Nr. 225, datë 2 Tetor 2020, hodhi poshtë vendimin e dhënë nga gjyqtarja e Lushnjës, Lorena Çabej, dhe vendosi lënien në fuqi të vendimit gjyqësor penale Nr. 131, datë 23 dhjetor 2019 të gjykatës së rrethit gjyqësor Lushnje. Vendimi i Apelit në Vlorë, cilësoi se dokumentet e falsifikuara nga ana e Faslli Turkut dhe Ferit Tabakut duhet të asgjësoheshin.
“Me datën 24 Shkurt 2002, gjyqtarja Lorena Çabej e pezulloj vendimin e formës prerë për asgjësimin e dokumenteve të falsifikuara, pasi kërkesës së Ferit Tabakut, i dënuar për falsifikim”, shprehet Sefedin Shefa.
(BalkanWeb)