Polonia do të vendosë kufizime në lëvizjen e diplomatëve rusë, tha Ministri i Punëve të Jashtme të vendit, Radoslaw Sikorski.

“Këto do të jenë vendime si për ambasadën ashtu edhe për personelin konsullor të Federatës Ruse në Poloni,” tha Sikorski në Bruksel pas një takimi të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian (BE).

Sipas Agjencisë Polake të Shtypit (PAP), rregullat e reja do të kufizojnë diplomatët e ambasadës në provincën Masoviane, ku ndodhet kryeqyteti, Varshava. Stafi konsullor do të jetë i kufizuar në provincat ku operojnë konsullatat e tyre përkatëse.

Sikorski tha se kufizimet do të vlejnë për të gjithë diplomatët përveç ambasadorit dhe se ambasada ruse së shpejti do të marrë një notë zyrtare për këto ndryshime.

Rusia ka paralajmëruar për masa hakmarrëse. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova, siç raportohet nga shërbimi rus i lajmeve TASS, tregoi se këto veprime do ta bëjnë Poloninë të “pendohet shumë”.

 

(A.A/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb