Nën duartrokitjet frenetike të një publiku entuziast, u kurorëzua një nga mbrëmjet gala, një mbrëmje magjike, që do të mbetet gjatë në kujtesën e publikut në Bukuresht.

Një koncert i jashtëzakonshëm, me artistë shqiptarë dhe rumunë, u zhvillua mbrëmjen e së premtes, 24 maj 2024, në Bukuresht. Organizatorët e koncertit ishin Shoqata Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR) në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operetës “Ion Dacian” në Bukuresht.

Në skenën e Operetës u ngjit sopranoja shqiptare me famë botërore, Inva Mula, së bashku me çiftin e artistëve shqiptaro-rumun, Gjergji dhe Ionela Mani, si dhe i ftuari special, tenori Daniel Magdal, solist i parë dhe drejtor artistik i Operës Kombëtare të Bukureshtit.

Orkestra u drejtua nga dirigjenti Alexandru Ilie, artistët interpretuan për publikun e shumtë pjesë nga muzika shqiptare e rumune, nga repertori botëror, por edhe këngë nga folklori shqiptar e rumun.

Perfomanca e lartë interpretuese i të gjithë solistëve, repertori i larmishëm, prania e muzikës shqiptare të lëvruar dhe popullore, me ritmin dhe dinamikën e saj, mahnitën publikun dhe zbuluan edhe një herë fuqinë e jashtëzakonshme të muzikës për të bashkuar popujt dhe kulturat.

Cilësimi i këtij koncerti gala do të ishte: Zëra të jashtëzakonshëm publik i mrekullueshëm! Inva Mula magjia e skenës, zëri i saj i kristaltë, ndjeshmëri e lartë dhe interpretim mjeshtëror arriti të elektrizojë sallën me energjinë e saj; tenori Gjergji Mani, një zë i fuqishëm, energjik, me timbër plot ngjyrë; sopranoja, Ionela Mani, me veçori vokale të rralla, si dhe tenori, i njohur ndërkombëtarisht, Daniel Magdal, i pakrahasueshëm në interpretimin e tij dhe për performancën brilante si gjithmonë!

Koncerti filloi me Vallen Simfonike nr. 2 të kompozitorit të mirënjohur, Thoma Gaqi, e cila është interpretuar disa herë në Rumani nga orkestra të ndryshme simfonike.

Është një pjesë me impakt të madh tek dëgjuesi i huaj, në sajë të strukturës simfonike moderne, harmonisë, ndërtur mbi një lajtmotiv popullor shqiptar.

Artistja e madhe, Inva Mula, e kthyer në Bukuresht pas më shumë se 30 vitesh, ku ka marrë çmimin e parë ndërkombëtar të karrierës së saj, Çmimin George Enescu, shkëlqeu me interpretimet e saj, përmes ndjeshmërisë, qartësisë dhe inteligjencës së epërme të zërit të saj.

Përveç disa pjesëve të njohura nga repertori i huaj, ajo interpretoi pjesë të babait të saj, kompozitorit Avni Mula si Agimet shqiptare, Valsi i lumturisë etj. Së bashku me tenorin e ri, të talentuar, Gjergji Mani, befasuan  publikun me pjesën rumune Te iubesc (Të dua) të kompozitorit Gherase Dendrino.

Gjergji Mani, një zë i fuqishëm, energjik, me timbër plot ngjyrë, përcolli emocione të forta te publiku me një sërë këngësh të njohura shqiptare si Më ka shku menja me u fejue, Bishitalecat palë palë apo ky marak, këngë të cilën e interpetoi në duet me bashkëshorten e tij, Ionela Mani.

Interpetimi në duet me Inva Mulën i këngës arbëreshe E lule -lu duket se arriti pikën kulminante të koncertit, sepse interpetimi i dy solistëve u shoqërua ritmikisht nga spektatorët dhe gëzoi duartrokitje të zgjatura të spektatorëve, të cilët u ngritën në këmbë në shënjë vlerësimi. Sopranoja, Ionela Mani, me veçori vokale të rralla, interpretoi pjesë të vështira nga folklori rumun dhe shqiptar, si Lie, Lie ciocarlie, Baresha apo Margjelo, duke evidentuar cilësitë teknike dhe emocionale të interpetimit.

Tenori i njohur rumun, Daniel Magdal, me një karrierë ndërkombëtare, plotësoi paletën e pasur të repertorit të koncertit me pjesë spanjolle dhe franceze. Përpos suksesit të jashtëzakonshëm të të katërve artistëve lirikë, një risi e këtij koncerti ishte fakti që u soll në qendër të vëmendjes, mbase si asnjëherë tjetër në kryeqytetin rumun, muzika shqiptare.

Në sallë ndodheshin personalitete të muzikës dhe artit në Rumani, gazetarë, artdashës dhe simpatizantë të kulturës shqiptare si dhe anëtarë të komunitetit shqiptar të Rumanisë. Televizioni Kombëtar TVR1 realizoi një reportazh të posaçëm për koncertin e jashtëzakonshëm.

Deputeti Bogdan-Alin Stoica, kryetari i shoqatës së shqiptarëve, kryetari Dr. Radu-Cosmin Savulescu si dhe Koordinatori i Qendrës Kulturore të ALAR, Dr. Luan Topçiu, morën urimet për organizimin dhe realizimin e kësaj ngjarje të rëndësishme kulturore që ndihmon drejtpërsëdrejti njohjen në shkallë të gjerë të kulturës shqiptare në Rumani, promovimin e artistëve të talentuar e të denjë shqiptarë, që shndërrohen, kësisoj, në ambasadorë të vërtetë të kulturës shqiptare dhe vendit të tyre në botë.

 

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: