Policia e Tiranës tregon detajet rreth dhunimit të avokatit Sokol Mëngjesi, i cili është edhe një prej avokatëve që mbron ish-kryeministrit Sali Berisha në çështjen e këtij të fundit me drejtësinë për privatizimin e ish-kompleksit Partizani. Sipas bluve, ngjarja ndodhi rreth orës 08:50, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Persona ende të paidentifikuar kanë goditur avokatin, duke i shkaktuar dëmtime.

Për pasojë ai është transportuar në spital, ndërsa gjendja e tij shëndetësore është e stabilizuar. Gazetari Igli Çelmeta raporton për BalkanWeb se 3 veta dyshohet të kenë marrë pjesë në sulmin ndaj Mëngjesit. Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë për identifikimin e autorëve.

“Sot, rreth orës 08:50, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, persona ende të paidentifikuar kanë goditur shtetasin S. M., me profesion avokat. I dëmtuari është dërguar menjëherë në spital për dhënien e ndihmës mjekësore dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Gjendja e tij shëndetësore është e stabilizuar. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe strukturat e Policisë së Shtetit janë angazhuar për identifikimin dhe kapjen e autorëve.”, sqaron policia.

Sokol Mëngjesi është avokat me përvojë disa vjeccare në jurisprudencë. Ai është angazhuar si ekspert në fushën e ndryshimeve ligjore nga institucione publike, të tilla si Kuvendi i Shqipërisë, Ministria e Drejtësisë dhe Shkolla e Magjistraturës.

Në shtator të vitit 2020, Sokol Mëngjesi u zgjodh Dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Mëngjesi ka një përvojë të gjatë edhe në mësimdhënie, ndërsa është autor edhe i një numri të madh punimesh shkencore të paraqitura në konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, artikujsh shkencorë të botuar në revista shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe monografish e tekstesh shkollore në Shqipëri dhe Greqi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb