Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) ka paralajmëruar se mbipopullimi dhe higjiena e dobët në kampet e refugjatëve në Rripin e Gazës po e avancojnë përhapjen e sëmundjeve infektive.
UNRWA theksoi nevojën urgjente për përmirësimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor. “Ekipet tona vazhdojnë të ofrojnë kujdes thelbësor mjekësor për individët e cenueshëm, përfshirë fëmijët dhe të moshuarit”, njoftoi UNRWA në platformën sociale X.
Mbipopullimi dhe mungesa e higjienës së duhur publike në strehimoret e Gazës kanë kontribuar ndjeshëm në krizën shëndetësore.
“Strehimoret e mbipopulluara dhe praktikat jo-adekuate të higjienës po nxisin transmetimin e sëmundjeve infektive”, theksoi UNRWA.
Agjencia e OKB-së bëri thirrje për “qasje të sigurt dhe të pakufizuar” për të adresuar nevojat urgjente shëndetësore të popullatës refugjate.
Izraeli vazhdon ofensivën brutale ushtarake në Gaza pas inkursionit të Hamasit më 7 tetor, pavarësisht nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm.
Të paktën 36.240 palestinezë janë vrarë që atëherë në Gaza, shumica dërrmuese e të cilëve gra dhe fëmijë, si dhe mbi 81.700 të tjerë janë plagosur.