Real Madrid nuk di të humbasë finale të UEFA Champions League. Spanjollët janë shpallur kampionë për herë të 15-të, pasi mundën në “Wembley” me shifrat 2:0 gjermanët e Borussia Dortmund. Cinik në fushë dhe pa djersitur shumë, Real Madrid bën atë që di të bëjë më mirë, të përvetësojë finalet. Nënkampionët gjithsesi dalin me kokën lart, zhvilluan lojë të mirë me raste për shënim, treguan karakter dhe disiplinë deri në momentin kur një përgjumie në mbrojtje solli epërsinë e kampionëve.

Ishin Carvajal dhe Vinicius ata që çuan në qellin e shtatë ekipin e Carlo Ancelottit.

Pjesa e parë foli për verdhezinjtë të cilët ishin pranë golit në tre raste. Adeyemi, Fullkrug dhe Sabitzer provuan por Courtois ishte i pakalueshëm. Ata goditën edhe shtyllën por sërish nuk mjaftoi për të gjetur golin. Në momentet e sulmeve agresive nga verdhezinjtë Real Madrid qëndroi në mbrojtje, duke rrezikuar jo pak.

Por fraksioni i dytë i lojës nis më ndryshe. Real Madrid i afrohet rrezikshëm portës së Dortmund, por sërish rasti i pastër për gol vjen nga Fullkrug, sulmuesi verdhezi që godet kokë drejt portës spanjolle por është Courtois që bën heroin. Rastet e humbura ulin moralin e lojtarëve. Shënimi i një goli ndoshta do të bënte që ndeshja të kishte tjetër histori.

Atëherë kur nuk pritej, në minutën e 74 Carvajal godet me kokë një top të marrë nga goditja e këndit përmes saktësisë kirurgjikale të Toni Kross dhe e çon në rrjetë. Festa i takon Real Madrid. Dortmund ka humbur toruan, zëvendësimet e Terziç nuk japin rezultat.

Një gabim në mbrojtje i Gittens i dhuron topin Bellingham i cili s’e ka të vështirë t’ia pasojë të pakapshmit Vinicius. Ky i fundit avancon drejt portës së Kobel duke e mposhtur pa shumë vështirësi në minutën e 83-të.

Gjermanët kapitullojnë. Minutat e mbetura nuk kanë histori. Fullkrug shënon gol por anësori dhe VAR janë të vendosur për off-side.

Epilogu i kësaj finale është Real Madrid 15 herë kampion, ndërsa Dortmund “qan” rastet e humbura. Mediat gjermane ia vënë fajin fatit, përvojës në krahasim me kundërshtarin por edhe kualitetit (buxheti i Real Madrid s’ka të krahasuar me atë të Borussia Dortmund të cilët në filozofinë e tyre nuk kanë shpenzimet e cmendura, por investimin tek talentet e reja). Nga tre finale të luajtura në historinë e tyre në Champions League, Borussia Dortmund ka arritur të fitojë vetëm njëherë përballë Juventus në 1997.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb