Emisioni në Shënjestër i gazetares Klodiana Lala në News24 ka zbardhur pothuajse të gjithë zinxhirin e vrasjeve të ndodhura si pasojë e përplasjes mes dy grupeve kriminale në Elbasan. Përplasja mes fisit Ccopja dhe Erion Alibej u bë më e dukshme pas vrasjes së Andi Zylyfit. Krimin e kreu ‘Bako’, sikundër njihet Hajdar Çopja.
Por siç thamë përplasja e Erion Alibej me fisin Çopja, u bë më e dukshme pas vrasjes së kushëririt të Alibej, Andi Zylyfi dhe plagosjes së mikut të tij Ardit Uruçi.
Ngjarje e ndodhur kjo më datë 13 Dhjetor 2019, rreth orës 18.30 në rrugën kombëtare Peqin- Elbasan.
Ku thuhet se organizatori i vrasjes ishte Hajdar Çopja i njohur ndryshe si ‘Bako’.
I cili së bashku me Kel Kamamin apo me emrin tjetër Mikael Qosja, qëlluan për vdekje ndaj djalit të dajës së Erion Alibej.
Dhe mikut të tij në makinë.
Dosja Hetimore
Hajdar Çopja i cili këtë kohë ishte jashtë Shqipërisë, hyri në Shqipëri nga aeroporti ‘Nënë Tereza’ më datë 8 Dhjetor 2019, vetëm pesë ditë para vrasjes dhe u largua po atë ditë nga Shqipëria.
Sipas të dhënave hetimore Hajdar Çopja dhe Mikael Qose kishin rënë dakort me Talo Çelën, Besmir Haxhinë dhe Altin Ndocin,
që do të ishin këta të fundit që kundrejt pagesës në para që do të merrnin, do të kryenin ekzekutimin e Andi Zylyfit, për të cilin kishin informacion se ishte jashtë Shqipërisë.
Por nëse në episodet e para, Nuredin Dumani del në krah të Erion Alibej, në këtë kohë ai është në shërbim të mikut të tij Talo Çela. Atij të cilit në vazhdim do t’i kthente armën, tashmë në shërbim të Erion Alibej.
Dosja Hetimore
Talo Çela i kërkoi Nuredin Dumanit t’i jepte ‘Mercedez Benzin’ që i kishte bërë dhuratë për daljen nga burgu, duke i treguar edhe arsyen përse do e përdornin. Tre ditë para ngjarjes, makinën tek Nuredini erdhi dhe e mori Altin Ndoci.
Organizatorët e kësaj ngjarje mësuan që më datë 12 Dhjetor 2019 pas mesditës Andi Zylyfi kishte hyrë në Shqipëri dhe kishte mbërritur në fshati Përparim në Peqin tek prindërit.
Të informuar nga Fatos Gosa mbi lëvizjet e objektivit të tyre, dhe pasi i kishin mbikqyrur lëvizjet, ata u informuan se rreth orës 18.00 të datës 13 Dhjetor 2019, Andi Zylyfi shkoi me automjet tek lokali i Altin Gjuzit në rrugën nacionale Peqin-Elbasan dhe u ul në lokal me shokë dhe familjarë të tij që e prisnin.
Ndërkohë që informatorët mbanin në vëzhgim objektivin e tyre dhe e kishin rrethuar në një darë të hekurt, Talo Çela dhe pjesa tjetër e grupit qëndronin në makinë dhe prisnin momentin kur shënjestra e tyre të dilte nga lokali.
Ashtu sikurse edhe ndodhi.
Dosja Hetimore
Vrasja e Andi Zylyfit ishte e planifikuar nga vëllezërit Çopja, konkretisht Hajdar dhe Franc Çopja që kishin paguar para tek ekzekutorët.
Atenati u organizua nga Kel Kamami (Mikael Qosja).
Por ajo çka shërbeu si motiv për prishjen e marrëdhënies midis Nuredin Dumanit dhe Talo Çelës, ishte fakti se ky i fundit edhe pse ia kishte kërkuar me të drejtë kthimi makinën ‘Mercedes Benz’, makinë të cilën po vetë ia kishte bërë dhuratë Dumanit për daljen nga burgu, jo vetëm që nuk ia kishte kthyer, por i kishte ndryshuar edhe ngjyrën, pas vrasjes së Andi Zylyfit.
Gjë që kishte krijuar një pakënaqësi të thellë te Nuredin Dumani për mikun e tij.
Si një nga personat e dyshuar në lidhje me vrasjen e Andi Zylyfit, policia mbajti në kontroll të gjitha lëvizjet e Hajdar Çopjas.
Aty ku edhe u vërtetua lidhja e tij me Talo Çelën dhe Mikael Qosen.
Dosja Hetimore
Duke qenë se dyshohej se ishte një nga porositësit e vrasjes, u la detyrë të dokumentoheshin hyrje-daljet e shtetasit Hajdar Bako në aeroportin e Rinasit.
Kjo për faktin se dy apo tre ditë para ngjarjes ai kishte hyrë dhe dalë brenda ditës nga Shqipëria.
Nga kqyrja e pamjeve filmike të këtij aeroporti rezultoi se Hajdar Bako alias Hysa Çopja, ka hyrë në Shqipëri më datë 8 Dhjetor 2019 ora 07:56 me një valixhe.
Po kështu nga kqyrja e sistemit TIMS, më datë 5 Mars 2018, rezulton se Hajdar Bako dhe Talo Çela udhëtojnë si pasagjerë me makinën e drejtuar nga Mikael Qosja (Kel Kamami).
Fakti i të hyrit në Shqipëri i të treve bashkë me të njëjtin automjet, konfirmon njohjen midis tyre kohë përpara.
Ndërkohë që babai i Andi Zylyfit, tregon edhe se si një nga personat që mbajtën në vëzhgim djalin e tij, në momentet para se të vritej, pas vrasjes vinte të luante domino në lokalin e tyre.
Hysni Zylyfi
Fatos Gosën e njoh personalisht prej shumë vitesh. RENEA i kishte shkuar për kontroll në shtëpi kjo pasi mendohej se kishte strehuar Talo Çelën. Vëllai im Eduarti e kishte parë Fatosin të qarkullonte edhe një ‘Golf’ 6, pas vrasjes së nipit Indrit Alibej (Dylgjeri).
Pas vrasjes së Andit ai vinte shpesh të luante domino te lokali i Altin Gjuzit, ndërsa para ngjarjes nuk vinte te ky lokal.
Por e gjithë kjo gjakderdhje e cila në harkun kohor të katër viteve, 2018-2022, shkaktoi 11 të vrarë, duket se u ndërpre pas arrestimit të vetë Nuredin Dumanit.
I cili më 29 Mars 2022, ra në pritë në fshatin Papër në Elbasan.
Ndërsa ishte rrugës për të kryer një tjetër atentat.
Por edhe të arrestimit të Erion Alibej si edhe të vrasjes në Belgjikë të Arjan Spahiut, që ishin financuesit e këtij lumi gjaku, që në thelb kishte hakmarrjen.
Dosja Hetimore
Gjatë kohës që ishte në Elbasan, Nuredin Dumani, takohej me Erion Alibejn, dhe i ka rrëfyer këtij të fundit në lidhje me autorët, dhe ekzekutorët e vrasjeve të Endrit Alibej, Arben Dylgjeri, Erdal Duranay, si edhe Andi Zylyfit, Klevi Baho si edhe plagosjes së Sandër (Aldo) Baho.
Nuredin Dumani pohoi se para ngjarjes së datës 29 Mars 2022, momenti kur ra në pritë dhe u plagos rëndë, më datë 26 Mars 2022 bashkë me Henrikun ata kishin qenë në Elbasan për të parë për OTIN.
Fjala këtu për Elton/Kastriot Kilen por nuk e gjetën dot.
Por ndërsa Erion Alibej, qëroi hesapet me shumë prej atyre që i konsideronte si qitësit e familjarëve të tij, ai nuk mundi ta çojë deri në fund planin për shfarosjen e plotë të tyre.
Kjo pasi financuesit e vrasjes së vëllait dhe kushëririt të tij, kundërshtarët e familjes Çopja, u larguan për në Dubai.
Ndërkohë që Elbasani duket se pas vitesh të gjata dhune, ka rënë në një qetësi olimpike.
Por që askush nuk mund të thotë se sa mund të zgjasë kjo qetësi, sa kohë plagët janë ende të hapura dhe kullojnë ende gjak.