Erling Haaland është një nga mungesat e mëdha të këtij Evropiani, një nga lojtarët më të mirë në qarkullim, por për fat të keq, Norvegjia e tij nuk siguroi një biletë për në “Euro2024”. “Bomberi” i Man.City tregoi të gjithë klasin e tij edhe kundër Kosovës, ku praktikisht mundi i vetëm “dardanët” me rezultatin e pastër 3-0. Në minutën e 15-të, Haaland me kokë dërgoi topin në rrjetë. Në fraksionin e dytë ishte sërish Haaland që pas një assisti të pastër nga Nusa dyfishoi shifrat. Pesë minuta më pas, biondi kompletoi ndeshjen e tij perfekte duke realizuar edhe golin e tretë.

Në përfundim të sfidës, Haaland u shfaq i kënaqur me lojën dhe paraqitjen e tij personale, ku në sytë e tij goli i parë ishte më i bukuri: “I pari ishte e bukur, i dyti ishte një pasim i mirë nga Antonio Nusa dhe i treti ishte një kombinim i bukur nga unë dhe Aron, theksoi Haaland i cili falë kësaj triplete ngjitet në kuotën e 30 golave me ekipin përfaqësues.

Të mërkurën zbritën në fushë edhe disa ekipe “big”, favoritë në “Euro2024”. Franca mposhti Luksemburgun me rezultatin e pastër 3-0. Deschamps kishte hedhur në fushë praktikisht formacionin e tij më të mirë, si një provë gjenerale përpara Evropianit.  Kolo Muani realizoi golin e parë në minutën e 43-të. Në fraksionin e dytë, Deschamps nisi valsin e zëvendësime, ndërsa në minutën e 70-të, Clauss dyfishoi shifrat. Nuk mund të mungonte në apel as Kylian Mbappe, me sulmuesin e Real Madrid që trefushoi shifrat në minutën e 85-të.

Një fitore të pastër siguroi edhe Belgjika, me djajtë e kuq që mposhtën Malin e Zi me rezultatin e pastër 2-0. De Bruyne dhe Trossard ishin autorët e golave për Belgjikën.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb