Këshilli i Lartë i Prokrurorisë ka thirrur një mbledhje ditën e premte (7 qershor) për zgjedhjen e kryetarit të ri, pas shkarkimit të Alfred Ballës nga ky funksion, në zbatim të vendimit të KPA-së, e cila vendosi përjashtimin e tij nga sistemi i drejtësisë për 15 vjet.
Mbledhja e KLP-së do të nisë në orën 09:30, ndërsa ajo zhvillohet në një kohë kur në Kuvendin e Shqipërisë ka nisur procedura për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit, për shkak se disa prej anëtarëve aktualë, jo magjistratë, i ka përfunduar mandati prej disa muajsh dhe janë në pritje të zëvendësimit.
Aktualisht KLP drejtohet nga zv.Kryetari, Tartar Bazaj, i cili në mbledhjen e fundit, gjatë debatit që pati me anëtaren Nurihan Seitaj, tha se nuk ka asnjë ambicie për të marrë drejtimin e KLP-së, duke kujtuar faktin se i ka mbaruar mandati si anëtar.
Nuk dihet nëse në mbledhjen e së premtes KLP do të arrijë të zgjedhë një prej anëtarëve jo-magjistratë në krye të Këshillit, apo do të vendoset që të pritet mbyllja e procedurës për zgjedhjen e anëtarëve të rinj nga Kuvendi.
Pak ditë më parë opozita ngriti pretendime se Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit kishte manipuluar me listat e kandidatëve për anëtarë të KLP-së.
Alfred Balla u shkarkua me 9 vota pro dhe 1 kundër si Kryetar i KLP-së në mbledhjen e 27 majit.
Alfred Balla nuk ishte i pranishëm në mbledhje, e cila u thirr nga nënkryetari i KLP-së, Tartar Bazaj me objekt “deklarimin e mbarimit të mandatit”.
Sipas vendimit të KPA, për 15 vitet e ardhshme Balla e ka të ndaluar të jetë pjesë e sistemit të drejtësisë. Atij i ka përfunduar mandati i anëtarit të KLP-së prej disa muajsh, por vijonte të qëndronte në detyrë deri në momentin që do të zgjidheshin anëtarët e rinj, nga radhët e shoqërisë civile.