‘Veprime shtazore’ i ka cilësuar torturat e maltretimet që kishte përjetuar gjatë 1998 e 99, nga policët e gardianët serb, ish i burgosurit Agron Ramadani.
Ai ishte dëshmitari i parë që u dëgjua në procesin gjyqësor ndaj Dragisha Milenkoviq, në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Ramadani, i cili u arrestua atë kohë e më pas u dënua me 3 vjet burgim për terrorizëm, thotë se kjo u bë për shkak të dyshimeve se ishte ndër themeluesit e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, derisa tregoi se nga keqtrajtimet e gardianëve e policëve serb edhe me tutje vuan pasojat.
“Ato kanë qenë në formë shtazarake, për 30 minuta nuk e ke ditë çka po ndodhë me ty, për çfarë arsye nuk e di. Me shkelma, shkopa gome, për 30 minuta.
Si m’ka ra t’fiktë, m’kanë kthjellë e tani kanë fillu prapë”, ka thënë ai, përcjell Tv Dukagjini.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit, dëshmitari i cili edhe është palë e dëmtuar në këtë proces tregoi se të akuzuarin e kishte njohur dhe kishte arritur ta identifikonte.
Ai përmendi se gjatë kohës sa ka qenë në burg kishin dëgjuar se njëri nga të burgosurit kishte vdekur nga torturat, porse nuk kishin arritur të mësonin kush kishte qenë.
“Në Prishtinë, para qelisë numër 1 ka filluar maltretimi për 30 minuta nga Dragisha Milenkoviq, Bradiqi dhe Zoran Koliq”, ka deklaruar Ramadani.
Dëshmitari shpjegoi kronologjikisht për transferet nëpër burgje në Kosovë e Serbi, derisa tha se ishte marr në pyetje nga organet shtetërore serbe në lidhje me punën e tij që bënte me Adem Demaçin e Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Jam arrestuar në 19 qershor 1998 në burgun e Lipjanit..16 janar 1999 jena transferu në Mitrovicës..aty kemi qëndru deri 24 mars 1999 jemi tranaferu në burgun e Nishit dhe aty këmi qëndruar deri me 26 mars 1999.
Me 26 mars jemi transferuar në burgun e Bubrabës aty kemi qëndruar deri me 24 maj 1999 me 24 maj na kanë transferuar në burgun e Lipjanit kur kemi qëndru dëri 10 qershor 1999 prej aty në burgun e Nishit ku kemi qëndrur e kam përfunduar dënimin me 9 dhjetor 2000″, ka thënë ai.