TIRANE

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, në një deklaratë për mediat, ka dhënë detaje për operacionin e sotëm policor për falsifikim dokumentesh dhe kalim të paligjshëm të klandestinëve në kufi, ku janë vendosur në pranga 26 persona.

Gazetari i News24 Igli Celmeta i shtroi pyetjen Rrumbullakut se përse operacioni sot ka qenë më i suksesshëm në ekzekutimin e masave të sigurisë (26 të arrestuar nga 31 urdhër-arreste) nga operacioni dy javë më parë “Revanshi” ku u lëshuan 50 urdhërarreste, midis tyre edhe për personazhe të njohur të botës së krimit, por asnjë nuk u arrestua. Gjithashtu, Çelmeta tha se në operacionin e përpara dy javëve janë shpallur në kërkim edhe dy drejues police të cilët nuk janë arrestuar dhe e pyeti Rrumbullakun nëse ka dyshime ai që në polici ka punonjës policie që mund të kenë përdorur Sky Ecc, por në formular kanë deklaruar që jo, siç tregoi rasti i efektivëve Henrigert Mitri dhe Klodian Shahini.

Drejtori i Policisë së Shtetit Rrumbullaku tha se i bën thirrje dy efektivëve të shpallur në kërkim që të dorëzohen vetë dhe të përgjigjen përpara drejtësisë. Ndërsa pyetjes nëse nëse ka dyshime ai që në polici ka punonjës policie që mund të kenë përdorur Sky Ecc, por në formular kanë deklaruar që jo, Rrumbullaku nuk iu përgjigj.

Gazetari Igli Çelmeta: Në operacionin e sotëm nga 31 urdhërarreste pothuajse janë arrestuar të gjithë personat e shpallur në kërkim, ndërsa dy javë më parë në operacionin “Revanshi” nga 50 urdhërarreste të lëshuar nga SPAK u arrestuan në territorin shqiptar vetëm 8 persona. Pse ishte më efektiv operacioni i sotëm për sa i përket personave të arrestuar, kurse dy javë më pare në operacionin më të rëndësishëm kishim shumë pak të arrestuar dhe midis personave të shpallur në kërkim kishte edhe personazhe shumë të njohur të botës së krimit, nuk u arrestuan? Pyetja e dytë, në operacionin e dy javëve më parë ishin të shpallur në kërkim edhe dy punonjës policie, Henrigert Mitri dhe Klodian Shahini si bashkëpuntorë të grupeve kriminale për kultivimin e kanabisit në zonën e Lezhës, këto dy persona nuk janë arrestuar? Më parë punonjësit e policisë kanë plotësuar një formular nëse kanë përdorur apo jo SKY ECC, po këto dy punonjës policie çfarë kanë deklaruar. Nëse kanë deklaruar “jo”, ju si drejtues i Policisë së Shtetit a keni dyshime që në polici ka ende punonjës policie që mund të kenë përdorur SKY ECC ndërsa në formular kanë deklaruar që jo.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku: Absolutisht edhe operacioni i para dy javësh në lidhje me grupet kriminale është vlerësuar maksimalisht nga policia e shtetit për të cilën kemi bërë edhe njoftim lidhur me ekzekutimin e masave të sigurisë, kategorisë së personave të cilët ndodhen brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, si dhe personave me precedent e rekorde kriminale, të cilët në momentin e njohjes dhe marrjes së urdhërarrestve nga prokuroria e posçme ndodheshin jashtë shtetit. Realisht sa i përket mosekzekutimit të urdhërarresteve për dy punonjësit e policisë së shtetit, unë publikisht i bëj thirrje që të paraqiten sa më parë, pavarësisht masa operacionale që Policia e Shtetit ka ndërrmarrë në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese për të vënë para drejtësisë të dy oficerët. Por u takon edhe atyre si dy ish drejtues që në vullnetin e lirë të paraqiten para drejtësisë.

Askush në Policinë e Shtetit nuk ka mbrojtje sa i përket implikimeve në veprimtari kriminale, çfarëdolloji qoftë ajo.
Për sa i përket deklaratave në formular nëse dy punonjësit kanë pasur SKY ECC apo jo, në materialet që ne disponojmë nuk kemi të dhëna të kenë deklaruar që “po”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb