Aksident në Majën e Harapit në fshatin turistik të Thethit. Një turist nga Gjermania mbeti i bllokuar mes thepave të malit, shtetasi Timo Misler, 34 vjeç.

Gazetari Senad Nikshiqi raporton për Balkanweb se fillimisht ka shkuar helikopteri i Ministrisë së Shëndetësisë për ta shpëtuar, por ka qenë e pamundur. Më pas herën e dytë ka ardhur një helikopter i forcave të ushtrisë dhe më tej është arritur që të nxirret nga vendi ku kishte mbetur i bllokuar, duke arritur që të shpëtojë me ndërhyrjen e dytë nga ajri.

Në këtë operacion një ndihmesë të madhe dhanë edhe banorët e zonës së Thethit, duke u vënë në gatishmëri për të shpëtuar turistin gjerman. Kujtojmë se rastet e humbjes së jetës të turistëve të huaj në Theth apo rastet e aksidenteve po kthehen në një shqetësim, pasi ata kërkojnë të eksplorojnë zona ku nuk rekomandohet kalimi.

Theth2
Theth2
Turisti1
Turisti1

Turisti gjerman që u shpëtua është transportuar drejt spitalit të Traumës në Tiranë për ndihmë mjekësore, ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Edhe policia ka njoftuar në lidhje me ngjarjen, duke vënë në dukje se janë shpëtuar 4 turistë, ndërsa njëri prej tyre në gjendje më të rëndë, është dërguar në spital.

Njoftimi:

Punonjësit e Policisë iu vijnë në ndihmë 4 turistëve nga Gjermania që kishin mbetur të bllokuar në Theth

Në vendin e quajtur ” Qafa e Pejës “, 4 turistë gjermanë, duke eksploruar me këmbë zonën, kanë mbetur të bllokuar në mes të malit ku njëri prej tyre ishte dëmtuar dhe nuk mund të vijonte rrugën në këmbë.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër në bashkëpunim me Postën e Policisë Theth dhe me  shërbimet e emergjencave civile, janë nisur në drejtim të zonës ku kishin mbetur të bllokuar turistët.

Shërbimet e emergjencave civile kanë kontrolluar zonën  me helikopter dhe kanë bërë të mundur lokalizimin e turistëve. Turisti i dëmtuar është transportuar me helikopter në spitalin e Traumës, Tiranë për ndihmë mjekësore.

Falë punës së mirëorganizuar dhe bashkëpunimit me shërbimet e tjera, punonjësit e Policisë kanë bërë të mundur edhe nxjerrjen e 3 turistëve të tjerë nga terreni i vështirë ku kishin mbetur të bllokuar.

Turistët kanë falënderuar shërbimet e Policisë dhe shërbimet e tjera, për përkushtimin dhe humanizmin e treguar, si dhe  për ndihmën e dhënë në kohë rekord.

Policia e Shkodrës është e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve,  vizitorëve dhe turistëve, dhe i fton ata që për çdo rast nevoje për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb