Rastësi me Shqipërinë apo jetë normale e partive politike edhe gjetiu, kaosit aktual ku ka hyrë politika franceze që prej vendimit të Makronit për zgjedhje të parakohshme, i shtohet tani edhe “bunkerizimi” i partisë kryesore të opozitës së djathtë.

Me një peshë historike ekuivalente me partinë demokratike të Shqipërisë, Partia e Republikanëve në Francë (LR) po përjeton këto orë egzakt atë melodramë ose tragji-komedi që përfshiu PD-ne shqiptare në vjeshtën 2021 dhe u zgjidh vetëm tre vjet më vonë pak a shumë, për shkak të zvarritjeve të pakutpueshme të gjykatave shqiptare. Pseudo-demokracia shqiptare i pengoi themeluesit dhe zotëruesit e vërtetë të Partisë Demokratike të merrnin pjesë me logon e tyre dhe financimet që ju përkisnin legalisht në dy palë zgjedhje, ato të 6 marsit 2022 dhe ato të 14 majit 2023. Dhe ky pengim nuk u bë aspak për shkak të një vendimi gjyqësor të formës së prerë, por një arsye komplet të kundërt, për shkak të braktisjes totale të divorcit në PD nga drejtësia për muaj me rradhë, a thua se bëhej fjala për një zënkë në një kooperative bujqësore dhe jo për stabilitetin e partisë më të madhe opozitare të Shqipërisë që dhjetëra deputetë në parlament. Ato imazhe skenash mesjetare të shkallëve dhe hunjve mbi dritare për të kthyer selinë e partisë te grupi të cilit ajo i takonte, janë peshqesh i një drejtësie të munguar shqiptare. Kur s’ka drejtësi, ka vetëdrejtësi. Por kjo ndodhi në Shqipëri.

Në Francë, nuk luhet me demokracinë dhe as me qelizat e saja bazë siç jane partitë parlamentare. Sapo « Lulzim Basha » francez, i cili tek republikanët francezë quhet Erik Çioti, vendosi të bëjë këtë javë të njëjtin puç, të rrëmbejë partinë në kundërshtim me statuset dhe kundra gjithë annëtarëve të kryesisë së partisë, drejtësia franceze u fut menjëherë në veprim. Ajo do të japë një vendim ekspres brënda 36 orëve dhe jo brënda 36 muajve si në Shqipëri. Ashtu si Lulzim Basha i cili në shtator 2021 si kryetar i PD-se vendosi fillikat pa pyetur asamblenë e partisë të pezullojë Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD-së, edhe kryetari i Republikanëve francezë, Erik Çioti vendosi këtë javë fillakat, të firmosë për një koalicion parazgjedhor me partinë e Le Pen-it. Në Francë , nuk shokoi vetëm përmbajtja e kësaj marrëveshje, një aleancë “për të vjellë” midis partisë së De Gollit , Shirakut, Sarkozisë, me partinë me reputacion fashist të Le Pen-it, por shokoi edhe forma. Si mundet që një vendim i tillë kaq i ndjeshëm, kaq strategjik siç është aleanca para-elektorale mund të merret me kokën fillikat të kryetarit të partisë pa u konsultuar me askënd tjetër në parti?

Kuadrot e partisë, deputetë e senatorë të partisë së Republikanëve francezë sapo dëgjuan lajmin e tradhtisë së kryetarit të tyre Eric Çioti që bënte “martesë” në kulisa me Le Pen-in, vërshuan si një trup i vetëm te selia e partisë së Republikanëve francezë, për ta ”marrë zvarrë” në kuptimin metaforik të fjalës kryetarin Erik Çioti dhe ta shkarkonin në çast jo vetem nga posti i kryetarit por dhe si anëtar partie. “Binjaku” i Lulzim Bashës, i kish marrë megjithatë të gjitha masat. Ashtu si ish-kryedemokrati në Shqipëri edhe ekuivalenti i tij francez kishte mbyllur çdo akses hyrjeje në selinë e partisë , kishte dërguar gjithë punonjësit në shtëpi dhe pasi kishte bunkerizuar selinë ishte zhdukur bashkë me çelësat. Kuadrot e partisë u mblodhën atëherë në një bar afër selisë ku morrën vendimet për shkarkimin e kryetarit tradhtar deri sa gjetën kopje të çelsave dhe mundën të futen në seli.

Totalisht i izoluar dhe me damkën “tradhtar”, Lulzim Basha francez vendos megjithatë të rezistojë deri në fund duke e deklaruar shkarkimin e tij si të paligjshëm dhe anti-statutor. Jo vetem kaq, por Erik Çioti sfidon gjithë partinë nëpër media duke deklaruar se aleanca me Le Pen mbetet në fuqi, dhe ata që s’janë dakord le të largohen ata nga partia dhe jo kryetari…

Kjo lojë ping-pongu tek partia më e madhe e të djathtës tradicionale franceze që po e lë Francën pa zë, fatmirësisht nuk do të vazhdojë shumë gjatë falë ndërhyrjes urgjente të drejtësisë . Kjo e fundit ka premtuar të japë një vendim në një kohë rekord deri këtë të shtunë mbasdite , përndryshe është gjithë jeta demokratike që njolloset dhe sabotohet sidomos në prag të zgjedhjeve të parakohshme që mbahen pas ter javësh.

Çështja nuk është nëse Lulzim Basha francez është fajtor apo është në të drejtën e tij. Çështja është se kur tumore të tilla prekin partitë kryesore politike të një vendi, ato duhen trajtuar si tumore në kokë, si tumore në zemër të demokracisë dhe si të tilla trajtohen urgjentisht, duke mos pritur as 36 orë, e jo më 36 muaj siç veproi drejtësia shqiptare me partinë demokratike të Shqipërisë.

Kjo zvarritje e drejtësisë që ndodhi me PD-në të mbetet si leksion apo shkollë për herën e ardhshme dhe vonesa të tilla mos të tolerohen më kurrë. Ajo që i ndodhi PD-së nuk është e habitshme se nuk do t’i ndodhë një ditë dhe një PS-je me një kryeministër që mund ta marrë dhe ai peng partinë e tij. Një skenar aspak imagjinar ditën kur Rama s’do të jetë më në krye të qeverisë ose si pasojë disfate elektorale ose si pasojë e zgjimit të drejtësisë ndaj korrupsionit të lartë shtetëror…

Cilado të jetë arsyja e mosmarrëveshjeve mídis dy palëve në një parti me impakt në demokraci, zgjidhja e saj e menjëhershme nuk duhet ta lërë asnjeherë indiferente drejtësinë. Eshtë ky një nga mesazhet e shumta por domethënës që po vijnë në këto momente nga Franca që po zhytet në konfuzion politik.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb