Droboniku është fshati në Berat, që pas vitit 1967 u bë fshati më njohur i prodhimit të kulturës së qershisë. Në këtë zonë llogariten mbi 50 mijë pemë qershije dhe çdo familje në këtë fshat ka mbi 300 rrënjë pemë qershi.
Sistemimi i rrugës ja ka lehtësuar banorëve të zonës disi tregtimin e kësaj kulture, por ajo që i penalizon ata janë çmimet e larta dhe cilësia e dobët e plehrave dhe pesticideve. Fshati, edhe pse është i bukur piktoresk, i quajtur ndryshe “ballkoni i Beratit”, është një fshat i braktisur nga të rinjtë dhe në këtë stinë që përkon edhe me vjeljen e qershive ,në plantacione sheh vetëm moshat mbi 50-vjeç dhe moshat e treta.
Duke qenë se nuk ka fuqi punëtore, një pjesë e mirë e prodhimit të qershisë ngelet edhe në pemë, pa u vjelë.
Banorët e fshatit Drobonik shprehen se, këtë vit prodhimi ka qenw shumë i mbarë por fuqia punëtore mungon dhe ata vetë vjelin sa munden por një pjesë e mirë e prodhimit ngelet në pemë. Banorët pohojnë se ata e shesin me çmim shumë të ulët me shumicë dhe se janë tregtarët më pas ata që e nxjerrin në shitje me pakicë me çmim shumë të lartë. Ata pohojnë s duke qenë se dalin me humbje, ata detyrohen të zbresin çdo ditë në qytet, për ta shitur vetë në tregun fshatar. Duke u ankuar se nuk kanë asnjë treg të mirëfilltë ku mund të shesin prodhimet e tyre, ata ankohen për çmimet e larta të pesticideve e plehrave kimikë, që-sipas tyre-janë të skaduara dhe po dëmtojnë jo vetëm pemët e qershisë por edhe vreshtat me rrush.
Plantacionet me qershi në fshatin Drobonik u ndërtuan në vitin 1967 dhe pas viteve ’90 çdo familje e këtij fshati përvetësoi në bazë të numrit të personave. Këto familje, nga viti 1990 e deri më sot jetojnë me të ardhurat që marrin nga kulturat e qershisë, ullirit dhe vreshtarisë. Megjithëse infrastruktura drejt fshatit është e rregullt dhe prodhimin ua marrin aty ku ata e vjelin, këta fermerë kanë një apel për ministrinë përkatëse, të shikohen çmimet e pesticideve e të plerave kimikë, pasi abuzohet jo vetëm me çmimet por edhe me cilësinë e tyre.